Dhurata Hoxha paralajmëron padi ndaj Haki Abazit e Jeta Xharrës për shpifje

  • 05 June 2020 - 17:28
 Dhurata Hoxha paralajmëron padi ndaj Haki Abazit e Jeta Xharrës për shpifje

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka paralajmëruar padi ndaj gazetares Jeta Xharra pas publikimit të një dokumenti përmes të cilit thuhej se me paratë e taksapaguesve Kosovar është lobuar për idenë e ndarjes së Kosovës. Hoxha gjithashtu ka paralajmëruar padi edhe ndaj ish-zëvëndëskryeministrit, Haki Abazi, për deklarata që ish-ministrja i quan shpifje.

“Të dashur qytetarë,Pas lajmit të rrejshëm, të publikuar nga mediumet prishtinainsight dhe kallxo.com, me autoren Jeta Xharra dhe deklaratave shpifëse të ish zëvendës kryeministrit, Haki Abazi, moralisht ndihem e obliguar të sqarojë për opinion të vërtetën. Arsyeja e vetme pse kam heshtur deri më tani, është për shkak se për këto shpifje do të padis të gjithë personat që janë marrë me emrin tim dhe kanë denigruar personalitetin tim përmes shpifjeve”, ka shkruar Hoxha.

Ajo thotë se pretendimet që në kohën e saj janë shfrytëzuar paratë e taksapaguesve kosovarë për të lobuar për copëtimin e Kosovës janë shpifje dhe produkt i “njerëzve të çmendur” që sipas saj dëshirojnë në çdo mënyrë të bindin të tjerët se ndarja e Kosovës ka qenë opsion real.

Hoxha thotë se një gjë e tillë është përgënjeshtruar edhe nga SHBA’ja.

“Si ministre në dy mandate, mbaj përgjegjësi të plotë për aktivitetin ligjor e politik të këtyre institucioneve. Akuza se kinse në kohën time, janë shfrytëzuar paratë e taksapaguesve për lobim për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që janë shpifje, por janë produkt i një agjende të njerëzve të çmendur, të cilët me çdo kusht po mundohen që të bindin të tjerët se kinse ndarja e Kosovës ka qenë opsion real në diskutimet e nivelit zyrtar. Kjo është një e pavërtetë e madhe, tani më e përgënjeshtruar edhe nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë amerikane”, ka shkruar ish-ministrja.

Hoxha thotë se PDK’ja gjithmonë ka qenë kundër prekjes së kufijve të Republikës së Kosovës.

“Partia të cilën e përfaqësoj PDK, ka qenë partia e vetme që në takime të nivelit të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kishte prezantuar një dokument që e bënte të qartë paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Ish-ministrja tutje ka akuzuar gazetaren Jeta Xharra se poi a bën argatin Haki Abazit duke keqinterpretuar një dokument në të cilin sipas saj nuk gjendet asnjë prej pretendimeve të Xharrës dhe Abazit.

“Jeta Xharra, që ia bën argatin shefit të saj nga shoqëria civile, Haki Abazit, duke keq interpretuar një dokument zyrtar i cili më së paku merret me pretendimet e tyre”, ka potencuar Hoxha.

Ajo thotë se dokumenti i publikuar nga Xharra është vetëm një analizë që tregon për perceptimin e shoqërisë franceze për temat politike të brendshme në Kosovë.

“Unë i ftoj të gjithë ta lexojnë dokumentin, cili nuk është asgjë tjetër përpos një analizë që flet për përceptimin e shoqërisë franceze për disa tema politike, lidhur edhe me çështjen e brendshme të Kosovës dhe anasjelltas”, thuhet në reagim.

Hoxha gjithashtu ka ftuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, që të distancohet nga deklaratat përmes të cilave ka ripërsëritur pretendimet që sipas saj janë shpifje.

Madje Hoxha ia ka përmendur Osmanit edhe faktin që ka qenë përkthyese e Fatmir Sejdiut dhe e ka ftuar që ta lexojë dokumentin.

“Si zyrtare e lartë e shtetit në disa funksione, kam shërbyer, mbrojtur dhe përfaqësuar me dinjitetin dhe ndërgjegjen më të lartë shtetin e Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e saj.Gjithashtu, kërkoj nga Kryetarja e Kuvendit, një kërkim falje dhe distancim nga deklarata e saj publike, duke e ripërsëritur këtë gënjeshtër.Znj. Osmani si ish përkthyese e Presidentit Sejdiu, duhet ta njohë anglishten në atë nivel sa për ta kuptuar se shkrimi i znj. Xharra dhe pretendimet e z. Abazi janë shpifje”, ka përfunduar ajo.

(Kosova Sot Online)