Rastet me koronavirus në botë po rriten si asnjëherë më parë

  • 05 June 2020 - 22:26
 Rastet me koronavirus në botë po rriten si asnjëherë më parë

Rastet e reja me koronavirus po rriten si asnjëherë më parë në nivel botëror. Në prill rastet e reja asnjëherë nuk kanë arritur në 100 mijë brenda ditës, por që nga 21 maji vetëm në pesë ditë janë regjistruar më pak se 100 mijë raste të reja.

Këto të dhëna i ka paraqitur “Johns Hopkins University”, ndërsa janë interpretuar nga CNN. Numri më i madh i rasteve është regjistruar më 3 qershor, gjithsej 130 mijë e 400 raste.

Sipas CNN rritja e madhe e rasteve mund të shpjegohet pjesërisht me rritjen e kapaciteteve të testimit, por ende në shumë vende nuk ka testime të mjaftueshme.

Numri i rasteve të reja ka rënë në shumë vende që ishin goditur rëndë më herët, duke përfshirë Kinën, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën e Francën.

Por në shumë vende, sidomos në Amerikë të Jugut, Lindje të Mesme dhe Afrikë niveli i transmetimit po shkon duke u përshpejtuar, ka treguar një analizë e CNN.

Në Libi, Irak, Ugandë, Mozambik dhe Haiti numri i rasteve po dyfishohet çdo javë. Në Brazil, Indi, Kili, Kolumbi dhe Afrikë të Jugut, rastet po dyfishohen çdo dy javë.

“Ne jemi sidomos të brengosur për Amerikën Qendrore dhe Jugore, ku shumë vende janë dëshmitare të përshpejtimit të epidemisë”, ka thënë udhëheqësi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Nje tjetër drejtues i lartë i OBSH-së, Mike Ryan ka thënë se Amerika Qendrore dhe Jugore nuk e kanë arritur ende pikun.

(Kosova Sot Online)