Paralajmëron analisti: Shqiptarët në rrezik, mafia e bashkuar po vepron për zhdukjen e qetë të qenies kombëtare

  • 06 June 2020 - 08:38
Paralajmëron analisti: Shqiptarët në rrezik, mafia e bashkuar  po vepron për zhdukjen e qetë të qenies kombëtare

“Largohen shqiptarët nga atdheu sepse nuk durojnë tradhtitë politike e korruptive, nuk durohet mizerja politike, largohen prej mos durimit të padrejtësive kombëtare e njerëzore, gjëra këto të cilat ua kanë bërë jetën të padurueshme, dhe nuk e di se e ka ndonjë ndryshim, përderisa shqiptarët janë pothuajse baras me vendet ku ka konflikte civile, dhe me ta radhitemi në krye për eksod masiv dhe për azil në shtetet e BE-së. Është e përhapur shumë tashmë thënia reale e njerëzve që kur i largojnë fëmijët nga Shqipëria dhe i dërgojnë ata në SHBA dhe Evropë thonë se: i shpëtova fëmijët se i dërgova jashtë shtetit; të ikim dhe ne se nuk bëhet kurrë mirë këtu, po vetëm më keq po”, thotë analisti Skënder Kapiti.

Image
Skender Kapiti

Sipas analizave më të reja të cilat i ka bërë publike organizata e cila merret me studimin e lëvizjes së popullsisë në Evropë, Eurostat, del se qytetarët shqiptar, në të dyja shtetet shqiptare Kosovë dhe Shqipëri, por edhe nga të gjitha trojet ku jetojnë, mbajnë rekordin në rajon për nga trendidisponimit që ta braktisin vendin e tyre. Sipas raportit të Eurostat-it dalin shifra alarmante të kosovarëve të larguar nga Kosova por edhe qytetar që largohen nga Shqipëria dhe viset tjera të banuara me shqiptar. Nga viti 2013 deri në vitin 2018, nga trojet shqiptare janë larguar 227 mijë persona, duke vendosur një rekord në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Eurostat ka publikuar të dhënat e migracionit neto (difrenca mes personave që ikin dhe atyre që vijnë) për vendet kandidate. Nga Shqipëria largohen neto mesatarisht 15-20 mijë persona çdo vit (102 mijë persona për pesë vjet), ndërsa nga Kosova janë larguar në total për të njëjtën periudhë 125 mijë persona, ku rekordi është shënuar në vitin 2015 me rreth 50 mijë. Analistët politik dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit, këtë lëvizje të popullatës jashtë vendit, me qëllim të largimit të përhershëm, e shohin si rrezik seriozisht të lëvizjes drejtë humbjes së substancës dhe qenies së kombit shqiptar. E kjo vjen krejtësisht si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit, mungesa e perspektivës dhe zhvillimit të mirëqenies, për shkak të sundimit të shtetit nga grupet mafioze. Kështu vlerëson njohësi i këtyre zhvillimeve Skënder Kapiti.

“Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës largohen nga atdheu prej politikës shqiptare të keqe, antikombëtare, të kriminalizuar, hajdute, injorante; largohen prej politikes familjaro-klanore,fisnore, krahinore e partizane dhe tejet të korruptuar. Shumë më keq akoma e pësojnë shqiptarët nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Presheva nga përndjekjet dhe shtypja e politikës së shtetit Serb, Maqedon e Malazez, ata janë të braktisur nga Tirane e Prishtina, por që edhe janë të tradhtuar edhe nga politika dhe prej politikanëve të partive politike shqiptare atje, të cilat janë të përçara dhe ku edhe ata kanë dhe shohin së pari interesat e ngushta personale. Prandaj shqiptarët kudo largohen nga atdheu për një jetë më të mirë”, thotë analisti Skënder Kapiti. “Gjëja më e sigurt në Shqipëri dhe Kosovë është pasiguria.

Kjo pasiguri vjen nga paqëndrueshmëria politike; nga korrupsioni gjithë institucional shtetëror dhe shoqëror; pasiguri të tjera të mëdha janë: pasiguria për shëndetin, për arsimimin, për punën, për lirinë, për drejtësinë; pasiguria ekonomike, për pronën dhe jetën. Këto janë arsyet e tjera shtesë se përse shqiptarët vetëm e vetëm sa largohen sot në eksod masiv për në Gjermani dhe BE, pasi aq të pakëndshme e kanë jetesën në Shqipëri sa që më mirë ndjehen në kampe atje se sa këtu. Shoqëria shqiptare sot është e lodhur, e stresuar, e rraskapitur dhe e stërmunduar nga politika, pushteti, qeverisja, drejtësia, dhe administrata. Pra, shoqëria shqiptare po vuan padrejtësie prej shtetit dhe sistemit kriminal qeverisës dhe politik i montuar nga krimi, hajdutëria dhe korrupsioni që prej vite e vitesh. Shoqëria i ka humbur aftësitë, mundësitë dhe shpresat për të përballuar, sfiduar dhe për të dalë nga kjo gjendje e pashpresë dhe jo lumturie”, thotë Skënder Kapiti. Sipas tij, shumica e anëtarëve të shoqërisë shqiptare, qytetarëve të zakonshëm, e kanë humbur edhe besimin, dhimbjen dhe solidaritetin ndër qytetaresk, pasi së pari po i stërmundon dhe papunësia dhe varfëria, kështu që mësyjnë rrugët e botës.

“Shoqëria shqiptare është e braktisur dhe e tradhtuar nga elita politike dhe nga shteti e drejtësia, e për pasojë shoqëria civile në Shqipëri e Kosovë është e përçarë, apatike, gjendje kjo që i ka çuar njerëzit në nënshtrim, në spiunllëk, në hipokrizi dhe që i bën ata të lig, egoistë e xhelozë edhe ndër vete qofte dhe për gjerat më të parëndësishme.

Këto vijnë dhe nga gjendja e rëndë socio-psikologjike depresive që e ka prodhuar realiteti i mizerjes së korrupsionit, vjedhjes dhe atij kriminalo- institucional shtetëror. Është mirë që Shtetet e fuqishme të BE-së para se të ndërmarrin kthimin në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë të analizojnë si duhet shkaqet dhe pse-të që i detyrojnë shqiptarët të braktisin Shqipërinë e Kosovën,dhe para se t’i riatdhesojnë ata, BE të marrë masa që të kontribuojë duke ndihmuar shoqërinë shqiptare, e cila nuk është e aftë, për t’i larguar nga politika ata shkaktarë të vërtetë që ua kanë imponuar qytetarëve të vet këtë gjendje të rëndë, të pakëndshme, jo lumturie dhe pasigurie në Shqipëri dhe në Kosovë’, thotë analisti dhe njohësi i së drejtës Skënder Kapiti.

“Largohen shqiptarët nga atdheu sepse nuk durojnë tradhtitë politike e korruptive, nuk durohet mizerja politike, largohen prej mos durimit të padrejtësive kombëtare e njerëzore, gjëra këto të cilat ua kanë bërë jetën të padurueshme, dhe nuk e di se e ka ndonjë ndryshim, përderisa shqiptarët janë pothuajse baras me vendet ku ka konflikte civile, dhe me ta radhitemi në krye për eksod masiv dhe për azil në shtetet e BE-së. Është e përhapur shumë tashmë thënia reale e njerëzve që kur i largojnë fëmijët nga Shqipëria dhe i dërgojnë ata në SHBA dhe Evropë thonë se: i shpëtova fëmijët se i dërgova jashtë shtetit; të ikim dhe ne se nuk bëhet kurrë mirë këtu, po vetëm më keq po”, thotë analisti Skënder Kapiti.

(Kosova Sot Online)