Abuzoi me vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, shefi i Policisë i kërkoi favore edhe mbesës së Martin Camajt

  • 06 June 2020 - 10:31
Abuzoi me vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, shefi i Policisë i kërkoi favore edhe mbesës së Martin Camajt

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit ka arrestuar shefin e Stacionit Policor Fushë Arrëz, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur.

Në një njoftim për mediat, SHÇBA bën me dije se ngjarja dyshohet se ka ndodhur ne vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu.

Më tej bëhet me dije se ngacmimi seksual është kryer në ambientet e Komisariatit, pasi vajza kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër.

Polici i ndaluar është  punonjësi Izmir Duraku, më detyrë aktuale Shef i Postës se Policisë në Fushë Arrëz, në DVP Shkodër.

Detaje të reja janë zbardhur nga skandali seksual, ku shefi i policisë në Fushë Arrëz u ndalua nga SHÇBA-ja, pasi akuzohet se ka përdhunuar një vajzë, e cila kishte shkuar të bënte një denoncim.

Drejtuesi i lartë i policisë është identifikuar si Izmir Duraku.

Ai dyshohet se ka përdhunuar një vajzë, që shkoi të denonconte rastin e një abuzimi seksual nga disa punonjës të Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2015, por kallëzimi është bërë ditën e djeshme nga e reja, në prani të një psikologu.

Ajo që e bën akoma më të rëndë këtë ngjarje është fakti se ky nuk ishte rasti i parë që Izmir Duraku ka përdorur postin e tij për të përfituar favore seksuale.

Rreth tre vite më parë, mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, Vera Camaj, deklaroi në media se shkoi të kërkonte ndihmë në Komisariatin e Policisë së Fushë-Arrëzit, pasi ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj dhe nuk i kishin dhënë urdhrin e mbrojtjes.

Para tre vitesh, Camaj e denoncoi Izmir Durakun publikisht për abuzim, pasi Duraku i kishte kërkuar favore seksuale për t’i dhënë urdhrin e mbrojtjes.

Në atë kohë, ajo deklaronte:

“Shefi i Policisë Izmir Duraku në momentin që i kam kërkuar ndihmë, për kërcënimet që kam marrë më ka ironizuar duke kërkuar favore seksuale ndaj meje. Sa herë që kam thirrur policinë, asnjëherë nuk më është gjendur.

Ku mund të shkoj më unë? Kur nuk kam mbrojtjen minimale nga shteti im.

Edhe në gjykatë kam kërkuar ndihmë, për të më lëshuar urdhrin e mbrojtjes, nuk ma japin”.

Pas këtij skandali të bërë publik në media, Vera Camaj u gjend e vetme nga drejtësia shqiptare.

Ajo u largua drejt Gjermanisë që në vitin 2019 ku edhe ka kërkuar azil. 

(Kosova Sot Online)