Virusi mbyt një brazilian çdo minutë, presidenti kërcënon me largim nga OBSh-ja

  • 06 June 2020 - 11:04
Virusi mbyt një brazilian çdo minutë, presidenti kërcënon me largim nga OBSh-ja

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka kërcënuar se do ta largojë vendin e tij nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pasi ky institucion ua tërhoqi vërejtjen qeverive në Amerikën latine për largimin e masave kufizuese.

Të enjten në mbrëmje, Brazili ia kaloi Italisë sa i përket numrit të viktimave të sëmundjes së re, por Bolsonaro po vazhdon të këmbëngulë për largimin e masave të izolimit, duke thënë se kostoja ekonomike e ka tejkaluar rrezikun që i kanoset shëndetit publik.

Vendet me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine, Brazili dhe Meksika, janë duke e shënuar numrin më të lartë të rasteve të reja, ndonëse pandemia është duke u përhapur edhe në Peru, Kolumbi, Kili dhe Bolivi.

Ministria e Shëndetësisë në Brazil ka njoftuar se numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 600,000 dhe vetëm për 24 orë të enjten janë shënuar 1,437 të vdekur, që paraqiti rekord për të tretën ditë me radhë.

Të premten në mbrëmje, Brazili i raportoi 1,005 viktima dhe Meksika 625 të vdekur, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)