Vjosa Osmani godet Hotin - ja çfarë thotë për heqjen e reciprocitetit

  • 06 June 2020 - 11:22
Vjosa Osmani godet Hotin - ja çfarë thotë për heqjen e reciprocitetit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka kundërshtuar edhe krijimin e Qeverisë Hoti, ka reaguar pas vendimit të sotëm për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Osmani ka thënë se konsiderimi i reciprocitetit si pengesë nënkupton që nuk do që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë.

Hoti sot ka shfuqizuar vendimet e Qeverisë së kaluar që drejtohej nga Albin Kurti. Heqja e masave të reciprocitetit ka qenë edhe kërkesë e SHBA’së.

Reagimi i plotë:

Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)