Një ushtar turk vritet dhe dy të tjerë plagosen në Siri

  • 06 June 2020 - 14:51
Një ushtar turk vritet dhe dy të tjerë plagosen në Siri

Një ushtar turk është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në pjesën veriperëndimore të Idlibit në Siri të premten gjatë një sulmi në një auto-ambulancë të blinduar. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se forcat turke i kanë identifikuar caqet dhe menjëherë janë kundërpërgjigjur me zjarr. Aty nuk tregohet se kush qëndron prapa këtij sulmi apo ku saktësisht ka ndodhur ai, shkruan “Reuters”.

Turqia dhe Rusia përkrahin palë armike në luftën e Sirisë. Ankaraja i përkrah rebelët që luftojnë kundër presidentit Bashar al-Assad, ndërsa Moska e përkrah qeverinë siriane.

Këto dy shtete më 5 mars arritën marrëveshje për armëpushim në Idlib pas disa javëve të përleshjeve mes palëve të konfliktit, që i sollën Rusinë e Turqinë pranë një përballjeje të drejtpërdrejtë.

Luftimet në Idlib eskaluan në dhjetor të vitit të kaluar. Rreth një milion persona u detyruan të zhvendosen, duke ngjallur shqetësim për një valë të re të imigrantëve drejt Turqisë, ku tashmë janë të strehuar katër milionë refugjatë.

(Kosova Sot Online)