Presidenti kinez i shkruan Vuçiqit, lavdëron miqësinë mes dy vendeve

  • 07 June 2020 - 15:50
 Presidenti kinez i shkruan Vuçiqit, lavdëron miqësinë mes dy vendeve

Presidenti i Kinës, Xi Jinping i ka shkruar një letër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi zyra e këtij të fundit.

Siç thuhet, Xi Jinping i ka shkruar Vuçiqit se “Kina dhe Serbia janë konsistente në mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë në çështjet me interes jetësor dhe shqetësimet serioze”.

“Besimi i fortë politik i ndërsjellë ka hedhur një themel të fortë për një partneritet strategjik gjithëpërfshirës midis Kinës dhe Serbisë. Kohët e fundit kemi biseduar në telefon për bashkëpunimin në luftën kundër COVID-19 (sëmundja që shkakton koronavirusi). Dy vendet tona mbështesin njëra-tjetrën dhe e luftojnë së bashku epideminë, që tregon edhe një herë vëllazëri dhe miqësi në veprim”, thuhet në tekstin e letrës së publikuar në faqen e internetit të Presidencës serbe.

Presidenti kinez ka shtuar se “Kina dhe Serbia janë të përkushtuara për një politikë të pavarur dhe autonome, si dhe për ruajtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, dhe e kundërshtojnë ndërhyrjen e jashtme”.

“Unë i kushtoj vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe Serbisë, dhe jam i gatshëm të punoj me ju për të thelluar vazhdimisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimin miqësor dypalësh në fusha të ndryshme, si dhe për të ruajtur ligjin dhe drejtësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të japim kontributin tonë aktivë në ndërtimin e një fati të përbashkët njerëzor”, thuhet në letrën e presidentin kinez.

Që nga fillimi i krizës shëndetësore pas përhapjes së koronavirusit, Serbia kryesisht është mbështetur në ndihmën e Kinës dhe zyrtarët e shtetit kanë lavdëruar lidhjet midis dy vendeve në fjalimet publike, gjë që ishte arsyeja për kritikë nga zyrtarë të caktuar evropianë. Sidoqoftë, presidenti serb, Vuçiq dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq kanë thënë që anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet qëllimi strategjik i Serbisë, dhe se BE-ja është donatorja më e rëndësishme në Serbi, në luftën kundër COVID-19.

(Kosova Sot Online)