Në mungesë të gjyqtares, shtyhet për 2 orë gjykimi ndaj rojës së pyllit në Graçanicë

  • 08 June 2020 - 10:46
 Në mungesë të gjyqtares, shtyhet për 2 orë gjykimi ndaj rojës së pyllit në Graçanicë

Seanca ndaj rojës së pyllit nga Graçanica, Perica Niçiq, i akuzuar për marrje ryshfeti prej 50 euro për mos dhënie të tiketës për bartjen e druve u shty për 2 orë.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues, Nushe Kukaj Mekaj.

Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, deklaroi se në mungesë të anëtares së trupit gjykues e për shkak të kujdestarisë nuk mund të mbahet gjykimi tani ndërsa u vendos që ta atë ta presin për dy orë.

Gjykimi ndaj Niçiq pritet të përfundojë sot.

Prokuroria në Prishtinë më 15 dhjetor 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Perica Niçiq për veprën penale marrje e ryshfetit.

Në bazë të aktakuzës më 07 tetor 2016, rreth orës 18:40 në fshatin Dobratin të Graçanicës, si roje pylli në Drejtorinë e Pylltarisë në Lipjan, Niçiq kishte kërkuar dhe pranuar përfitim për vete në shumë prej 50 euro nga i dëmtuari Sabri Rashiti për të mos i shqiptuar fletëparaqitje për bartjen e druve pa leje. Sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit për t’i dhënë paratë, ndërsa paratë doli për t’i marrë djali i tij Gligorije Niçiq të cilat i futi ato në xhep.

Tutje, sipas prokurorisë një polic me rroba civile e kishte ndaluar dhe pasi e kishte kontrolluar, i kishte gjetur 50 euro nga Gligorije Niçiq i cili ishte shoqëruar në stacion policor e pastaj edhe vetë i akuzuari.

(Kosova Sot Online)