Skocia shënon zero vdekje nga Covid-19 për 24 orë, për herë të parë që nga fillimi i izolimit

  • 08 June 2020 - 11:11
Skocia shënon zero vdekje nga Covid-19 për 24 orë, për herë të parë që nga fillimi i izolimit

Skocia nuk e ka regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara, për herë të parë që nga fillimi i izolimit.

Të dielën, qeveria skoceze njoftoi se 2,415 persona kanë vdekur deri më tani nga koronavirusi. Kjo shifër mbeti e njëjtë nga e shtuna. Kjo ishte hera e parë pa asnjë rast fatal për 24 orë që nga 20 marsi.

Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe u shënuan 18 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 15,621 persona, shkruan “Daily Mail”.

Ministrja skoceze e shëndetësisë, Jeane Freeman, tha se shifrat e së dielës duhet të lexohen me vëmendje. “Ne e dimë se gjatë fundjavës ka tendencë për më pak vdekje të regjistruara sesa në ditët e tjera të javës. Ka ende shumë gjasa që gjatë ditëve në vijim të ketë vdekje të tjera”, tha ajo.

Nga rastet e infektimeve, 646 persona janë ende të shtrirë në spital, ndërsa 16 prej tyre ndodhen në repartin e kujdesit intensive.

Qeveria skoceze më herët nuk është pajtuar me politikën e Londrës për ta larguar parullën “qëndro në shtëpi”, duke vlerësuar se rreziku ende nuk kishte kaluar.

(Kosova Sot Online)