A do të ndodhë marrëveshja me Serbinë këtë vit, çfarë thotë Presidenti?

  • 08 June 2020 - 11:33
 A do të ndodhë marrëveshja me Serbinë këtë vit, çfarë thotë Presidenti?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë para mediave ka folur lidhur me fazën e fundit të dialogut Prishtinë – Beograd, si dhe për mundësinë që brenda këtij viti të arrihet marrëveshja mes dy shteteve.

Ai ka folur lidhur me bashkëpunimin që do të ketë me kryeministrin Avdullah Hotin, dhe deklaratën që ky i fundit e ka dhënë sa i përket asaj se kush do të udhëheq dialogun.

“Ne përballë Serbisë kemi qenë të bashkuar, të bashkë koordinuar si institucione, kemi dalë mirë. S’jemi në garë përballë Serbinë, jemi për të plotësuar njëri tjetrin për të pasur një platformë të qartë që lëviz procesin përpara në realizimin e objektivave tona që ky proces të përmbyllet suksesshëm dhe të kemi njohjen reciproke, ky është synimi jonë jo gara mes vete”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së marrëveshjes brenda këtij viti.

“Se çka do të bëjë Serbia nuk mund të flasë ka obligime nuk do të lejojmë që t’i cenohet sovraniteti Kosovës. Se a do të mund të arrihet marrëveshja brenda këtij viti jam optimist se gjërat do të lëvizin në kahen e duhur. Destinacioni ynë është i qartë që të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë ai.

“Mendoj që të gjithë duhet të jemi të kënaqur me mundësinë  bashkë koordinimit të institucioneve me hapat zhvillimor natyrisht që pushtetet janë të ndara, por, përballë Serbisë duhet të jemi të gjithë të bashkuar, besoj që do të ketë hapa konkret të këtij bashkë koordinimi”, tha presidenti.

Ai ka ftuar edhe njëherë BE’në që të vendosin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne kemi pasur disa kauza të rrejshme populiste, të dëmshme për shtetin. Për të penguar në kuptimin të mbështetjen e partnerëve tonë, mendoj se tashmë është gjithçka e qartë. Ftoj BE’në që të unifikoj qëndrimin sa i përket liberalizimin e vizave”, tha presidenti i shtetit.

(Kosova Sot Online)