Vushtrria edhe sot nën ethet e Covid-19, priten rezultatet edhe për mbi 30 persona të tjerë

  • 08 June 2020 - 13:02
Vushtrria edhe sot nën ethet e Covid-19, priten rezultatet edhe për mbi 30 persona të tjerë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë njoftoi edhe për 40 raste të reja me virusin  Covid 19. Tetë prej atyre rasteve janë nga rajoni i Vushtrrisë.

Por gjatë ditës së sotme në Vushtrri pritet që të dalin rezultatet edhe për 30 persona të tjetë të cilët janë testuar si të dyshimtë për infektim me Covid-19. Në mbrëmje pritet që të dihet nëse të njëjtit janë infektuar. Të gjitha këto raste janë, raste kontakti me të prekur.

“Situata për momentin duke e menaxhueshme se të gjitha këto  janë raste të kontaktit. Sot pritet të dalin rezultate edhe për 30 mostra të marra dje nga terreni”, ka deklaruar drejtori i shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli.

E 151 raste me koronavirus janë shtuar që nga 1 qershori e deri më sot në Kosovë, duke çuar numrin e rasteve aktive në 313.

Numri i të infektuarve është rritur shumë më shumë sesa ai i të shëruarve. Vetëm të dielën 40 persona u konfirmuan me koronavirus, ndërkaq gjashtë pacientë u raportuan të shëruar.

Përkundër thirrjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbajtje të maskave, numri i qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë udhëzimet është i madh. Kjo ka bërë që ky Institut në vazhdimësi të bëjë thirrje për kujdes.

Deri tash numër më të madh të të infektuarve e ka Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit, dhe kjo sipas IKSHPK-së ka ardhur nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.

Që nga 1 qershori Kosova ka hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, ku ndër të tjera janë hapur kufijtë, çerdhet dhe gastronomia. Për një javë numri i të infektuarve është shtuar në numër të konsiderueshëm.

Sipas shifrave zyrtare, deri tash 1234 persona janë infektuar, 890 janë shëruar kurse 31 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)