Çka do të ndodhë me peticionin e LVV-së për zgjedhje të reja në shtetin e kapur nga klani i Hashim Thaçit

  • 09 June 2020 - 07:08
Çka do të ndodhë me peticionin e  LVV-së për zgjedhje të reja në shtetin e kapur nga  klani i Hashim Thaçit

“Sa i përket Peticionit mendoj që edhe Vetëvendosja e din se nuk mundë ti ketë efektet të cilat mund t’i dëshiroj ajo dhe qytetarët në këtë rast. Me institucione të kapura dhe me një President të njëanshëm nuk shoh që mund të prodhoj diçka të cilën ata po e kërkojnë”, thotë njohësi i fushës së të drejtës Ardit Gërvalla.

Image
Ardit Gervalla

Njohësi i fushës së të drejtës, magjistri i shkencave juridike Ardit Gërvalla, e konsideron shprehje të drejtë të vullnetit qytetar, kërkesë legjitime nënshkrimin e peticionit që po e organizon LVV për zgjedhje të reja, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe dhënies së mandatit partisë së dytë fituese të zgjedhjeve, për ta bërë qeverinë me partnerët tjerë politik, që ishin në opozitë. Sidoqoftë Gërvalla thotë se në një shtet ku rendi dhe ligji nuk funksionojnë, ku demokracia shpërfillet dhe shkelet me të dyja këmbët, edhe zëri qytetar i artikuluar në këtë formë demokratike nuk do të dëgjohet, do të mbetet vetëm një kërkesë e pa përfillshme në letër sepse ndikimi i politikës mbi institucione, edhe ato të pa varura, është tepër i ashpër.

“Në shtetet e konsoliduara, ku funksionojnë mekanizmat e demokracisë, peticionet e tilla që organizohen nga partitë politike ose nga shoqëria civile kanë efektet e tyre, kurse në vendet ku demokracia është vetëm nocion dhe jo përmbajtje atëherë efektet e peticioneve nuk japin rezultate. Në vazhdimësi në Kosovë kemi pasur raste kur qytetarët kanë shprehur vullnetin-revoltën e tyre përmes peticioneve të ndryshme, por të gjitha ato fatkeqësisht kanë qenë vetëm të shkruara në letër dhe se nuk kanë gjetur rrugën që të ndryshojnë situatën politike në vend”, thotë Ardit Gërvalla.

Ky peticion i drejtë dhe që po organizohet në mënyrë shumë demokratike, sipas Ardit Gërvalles do të mbetet kot në sirtarët e institucioneve që do të ju drejtohet ngase do të jetë përsëri Presidenti Thaçi ai që nuk do ta lejon trajtimin e tij meritor, sipas ligjeve dhe Kushtetutës. “Natyrisht që është e drejt e Lëvizjes Vetëvendosje që të organizoj peticion, përmes së cilit kërkohen zgjedhjet, por si duket është edhe strategji e saj që ta matë vullnetin e qytetarëve se sa ka ndryshuar dhe se përmes saj edhe ndoshta të shoh së sa ka ngritje si subjekt politik. Sa i përket Peticionit mendoj që edhe Vetëvendosja e din se nuk mundë ti ketë efektet të cilat mund t’i dëshiroj ajo dhe qytetarët në këtë rast. Me institucione të kapura dhe me një President të njëanshëm nuk shoh që mund të prodhoj diçka të cilën ata po e kërkojnë”, thotë njohësi i fushës së të drejtës Ardit Gërvalla.

(Kosova Sot Online)