Në Prizren vazhdon gjurmimi i rasteve të dyshimta për prekje nga Covid-19, rezultatet priten sonte

  • 09 June 2020 - 16:05
 Në Prizren vazhdon gjurmimi i rasteve të dyshimta për prekje nga Covid-19, rezultatet priten sonte

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë njoftoi edhe për katër raste të reja me Covid 19 në Prizren. Në këtë komunë, raste aktive me infektim me Covid 19 janë 49. Por edhe gjatë ditës së sotme pritet që të kryhen testime me mostra të dyshimta për persona të prekur me koronavirus. Kështu bëri me dije në një deklaratë për media, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu.

Sipas Shehut të gjitha rastet e paraqitura ditëve të fundit me Covid-19 në komunën e Prizrenit, janë raste kontakti. Pra familjar të personave të infektuar.

Ai shpjegoi se edhe gjatë ditëve të sotme pritet që të kryhen testime të reja me mostrat e marra për dyshime se të tjerë persona janë prekur nga koronavirusi. Por se sa persona do të testohen sot, Shehu theksoi se nuk i di shifrat.

“Mbrëmë janë konfirmu katër raste në Prizren. Tre prej rasteve janë në Prizren, derisa një rast është nga Tupeci. Të gjitha rastet janë raste kontakti, pra familjarë të personave të infektuar. Gjendja e pacientëve është e mirë. Sot do të ketë testime, por ende nuk dihet numri i testimeve që do të kryhen, meqenëse ende nuk ka përfundua komplet lista. Aktualisht i kemi 49 raste aktive me COVID-19 në Prizren, meqenëse mbrëmë pas ri testimeve 10 persona kanë rezultuar si të shëruar”, ka thënë Shehu për Express.

E deri tani në vendin tonë me coronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 263 persona, 912 prej personave të infektuar janë shëruar ndërsa janë regjistruar edhe 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendime të reja rreth pandemisë COVID-19, ku ka hequr kufizimin e lëvizjes si dhe ka vendosur rregulla të reja për qytetarët që kthehen në Kosovë.

(Kosova Sot Online)