COVID-19 në Prishtinë: Rreth 100 persona do të testohen sot, në mesin e tyre 20 fëmijë

  • 09 June 2020 - 17:44
 COVID-19 në Prishtinë: Rreth 100 persona do të testohen sot, në mesin e tyre 20 fëmijë

110 banorë të komunës së Prishtinës janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 73 dhe kanë vdekur 2 persona, derisa 35 janë ende duke u përballur me koronavirusin. Sot do të testohen rreth 100 persona.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha se në mesin e personave që do të testohen janë edhe 20 fëmijë të çerdheve të Prishtinës dhe 9 punonjës të çerdheve.

“Sot do të testohen rreth 100 persona. Në mesin e tyre janë edhe 20 fëmijë të çerdheve dhe 9 punonjës”, ka deklaruar Gashi.

Ai shtoi se po priten rezultatet e testimeve të dyta për personat që mund të jenë shëruar nga koronavirusi.

“Po presim që të ritestohen edhe disa persona të cilët në testimet e para kanë dalë negativë, tani i kanë të dytat, për të parë nëse janë shëruar nga COVID-19”, deklaroi Gashi.

Gashi bëri të ditur se sot pritet të dalin rezultatet e testimit të edukatores së çerdhes “Xixëllonjat” në Prishtinë, e cila e kishte burrin e infektuar me koronavirus.

Deri më tani në Prishtinë janë shënuar 110 raste pozitive me koronavirus, 2 nga ta kanë vdekur, ndërsa momentalisht janë 35 raste aktive.

Ndërkohë, nga data 8 shkurt deri më 8 qershor në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me metodën RT-PCR janë testuar 16 mijë e 906 persona të dyshimtë për virusin SARS-Cov-2.

Prej tyre kanë rezultuar pozitivë 1 mijë e 263 persona, nga të cilët tashmë janë shëruar 912 dhe kanë vdekur 31.

(Kosova Sot Online)