Gashi përgënjeshtron shkrimet se ka lobuar në Francë për shkëmbimin e territoreve

  • 09 June 2020 - 18:45
 Gashi përgënjeshtron shkrimet se ka lobuar në Francë për shkëmbimin e territoreve

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi ka reaguar pas raportimeve se ai është i implikuar në lobimin lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve me shtetin serb.

Përmes Twitterit, Gashi ka shkruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, duke thënë se është fatkeqësi që betejat personale dhe ato të brendshme politike sakrifikojnë të vërtetën që do të duhej të raportonin mediat.

“Është fatkeqësi që betejat personale dhe beteja e brendshme politike e sakrifikojnë të vërtetën të cilën do të duhej ta raportonin mediat”, ka thënë ai, duke shtuar se autorja e raportit, Jeta Xharra edhe herë të tjera ka tentuar ta implikojë në ngjarje të paqena.

“Gazetarja në fjalë nuk është hera e parë që tenton të më implikojë në ngjarje të paqena”, ka shkruar Gashi.

BIRN ka raportuar sot se kanë zbuluar dëshmi të reja lidhur me lobimin e institucioneve të Kosovës për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Në këtë shkrim thuhet se ambasadori Gashi personalisht ka avokuar për shkëmbim territoresh përderisa shkruhet se një akademik amerikan ka zbuluar se si Hashim Thaçi i ka kërkuar atij që të përgatisë një punim në mbrojtje të këtij plani.

Ish – Ministrja e Integrimeve nga radhët e PDK’së Dhurata Hoxha e cila po ashtu është subjekt i këtyre shkrimeve ka paralajmëruar padi ndaj gazetares Jeta Xharra.

(Kosova Sot Online)