BBC-ja ia huq keq, për Floyd-in e vrarë nga policia publikon foton e një futbollisti

  • 10 June 2020 - 15:25
BBC-ja ia huq keq, për Floyd-in e vrarë nga policia publikon foton e një futbollisti

Transmetuesi publik britanik, BBC, e ka bërë një gabim mjaft të rëndë pasi e publikoi një fotografi të një ish-futbollisti amerikan gjatë funeralit të afrikano-amerikanit George Floyd. Futbollisti e kishte të njëjtin emër dhe mbiemër.

Televizioni britanik e publikoi fotografinë e ish-lojtarit të ekipit të futbollit amerikan “New York Jets”, i quajtur George Floyd, në vend se ta publikonte një fotografi të burrit 46-vjeçar që vdiq në duart e policisë muajin e kaluar.

Materiali i publikuar përmbante edhe të dhëna të tjera për amerikanin e ndjerë si dhe disa fotografi të sakta, shkruan “Daily Mail”.

George Floyd vdiq gjatë arrestimit nga policia amerikane më 25 maj. Një polic u incizua duke ia mbajtur gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta para se burri të mbetej pa ndjenja.

Vdekja e tij ka nxitur protesta të shumta në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në disa shtete të tjera. Një polic është akuzuar për vrasje dhe tre të tjerë për ofrim të ndihmës në vrasje të shkallës së dytë.

(Kosova Sot Online)