Vetëvendosje premton tubim me distancë sociale të premten

  • 10 June 2020 - 16:33
Vetëvendosje premton tubim me distancë sociale të premten

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para tre ditësh ka njoftuar për tubimin e subjektit që drejton në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë të premten e 12 qershorit. Kjo datë shënon 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti për këtë tubim ka thënë se do të respektohet distanca fizike mes njerëzve. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha për media se subjekti më i madh opozitar ka plan operativ për sistemimin e njerëzve pavarësisht se sa do të jetë numri i tyre.

Prova për protestë e thirrur nga Vetëvendosja më 28 maj në sheshin “Skenderbeu” kishte mbledhur më shumë se 5 mijë persona. Edhe tubimi i radhës që do të mbahet më 12 qershor në ora 17:00 në kuadër të “Javës së Lëvizjes” ka kërkesën e njëjtë të këtij subjekti politik sikur më 28 maj, zgjedhje të reja pas rënies së qeverisë Kurti.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka i tha medias se sikur me protestën-provë edhe në tubimin e së premtes do të ruhet distanca, dhe do të sistemohen njerëzit pavarësisht numri të pjesëmarrësve.

“Njëjtë qysh ka ndodhë me provë-protestën, në kuptimin e organizimit ka me qenë e njëjta me distancën dhe me rekomandimet edhe në këtë tubim pavarësisht numrit të madh të njerëzve. Pra do të ruhet edhe distanca dhe shpërndarja e njerëzve. Kemi plan se si do t’i sistemojmë njerëzit në tubim”, tha Manxhuka.

Tutje, Manxhuka tha se Vetëvendosje ka leje nga Policia e Kosovës dhe do të jenë në koordinim me institucionet e sigurisë.

“Sikur herën e kaluar që organizuam provën dhe që jo vetëm që patëm leje por ishim në koordinim të plotë me organet e rendit do të jemi edhe kësaj here”, tha ai.

Ndërkaq, Zyra për informim e Policisë së Kosovës ka thënë se janë në trajtim të kërkesës së VV’së lidhur me tubimin që do të mbahet pas dy ditësh.

Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me tubimin e paralajmëruar se a duhet të organizohet një ngjarje e tillë në situatën e tanishme epidemiologjike kur rastet me Covid-19 janë rritur dhe se nuk dihet se sa do të jetë numri i pjesëmarrësve.

Por të njëjtit kanë kërkuar që pyetjet të referohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme por që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij teksti.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi mbrëmë në një paraqitje televizive për mediat në Shqipëri ka deklaruar se në sheshet e Prishtinës do të ketë më shumë se 15 mijë njerëz.

“Tubimi i 12 qershorit është 15 vjetori i krijimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, sigurisht është zgjedhur edhe si datë edhe për shkak të koincidencës me ditën e çlirimit të Kosovës. Çështja e pandemisë na detyron të jemi të kufizuar në atë që bëjmë, pretendojmë që do të kemi 15 mijë ose më shumë pjesëmarrës në sheshet e Prishtinës, me distancën e siguruar”, ka thënë Zaimi.

Vetëvendosje pas formimit të qeverisë Hoti më 3 qershor, ka nisur peticion nëpër të gjitha komunat e Kosovës me kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas këtij subjekti politik deri më tani peticionin e kanë nënshkruar më shumë se 150 mijë njerëz në tërë Kosovën.

(Kosova