Hoti takohet me ambasadorin Held, flasin për dialogun

  • 10 June 2020 - 17:37
 Hoti takohet me ambasadorin Held, flasin për dialogun

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti është takuar sot me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Held.

Në njoftimin për media të lëshuar nga Qeveria thuhet se Hoti ka biseduar me Held për zhvillimet politike dhe bashkëpunimin midis Kosovës dhe Gjermanisë.

Me këtë rast, Kryeministri Hoti informoi Ambasadorin Heldt për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin e saj për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik, si rezultat i pandemisë COVID-19, agjendën e reformave evropiane, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë.

Kryeministri Hoti falënderoi Ambasadorin Heldt për mbështetjen e gjithanshme që Gjermania i dha dhe vazhdon t’i japë Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis dy vendeve.

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës ndaj shtetit dhe popullit gjerman për mbështetjen ndaj Kosovës në shtetndërtim, zhvillim ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për avancimin e demokracisë në vend”, tha kryeministri Hoti, duke vlerësuar projektet dhe investimet konkrete të Gjermanisë, të cilat forcojnë ekonominë e Kosovës dhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

(Kosova Sot Online)