Amerika i tërheq vërejtje Kuvendit të Kosovës për bashkësitë fetare

  • 10 June 2020 - 20:33
 Amerika i tërheq vërejtje Kuvendit të Kosovës për bashkësitë fetare

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin për liritë fetare në vitin 2019.

Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se Kushtetuta e vendit parashikon lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar, porse ligji nuk parashikon mënyra për grupet fetare që të fitojnë statusin juridik.

Sipas raportit, Kuvendi i Kosovës nuk e ka shqyrtuar projektligjin që do t’iu lejonte grupeve fetare të fitonin statusin juridik.

“Ndryshimet do të sqaronin gjithashtu identitetin dhe statusin e disa grupeve fetare, siç është komuniteti Bektashi, i cili ka kërkuar njohje si bashkësi e veçantë islamike”, thuhet në raport.

Sipas tij, grupet fetare deklaruan se ato përgjithësisht kanë marrëdhënie bashkëpunuese me qeveritë lokale.

Megjithatë, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës tha se “qeveritë komunale nuk i trajtojnë organizatat fetare në mënyrë të barabartë për çështjet e pronës, përfshirë këtu edhe në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe ndarjen e hapësirës për varrim në varrezat publike”.

Sipas raportit, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës ka deklaruar se Bashkësia Islame e Kosovës ka kontrata për shumë varreza komunale dhe që janë diskriminuese ndaj pakicave fetare në ndarjen e parcelave të varrimit dhe ofrimin e shërbimeve.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit citon edhe Kishën Ortodokse Serbe të ketë thënë se Qeveria e Kosovës i ka shkelur disa prej të drejtave pronësore të Kishës, të përcaktuara me Ligjin për Zona me Mbrojtje të Veçantë.

Këtu përmendet “refuzimi për të zbatuar një vendim gjyqësor, të vjetër tre vjet, për të njohur pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa parcela toke rreth Manastirit të Deçanit”.

Departamenti amerikan i Shtetit thekson se Bashkësia Islame e Kosovës ka raportuar dy raste të diskriminimit në punësim ndaj praktikuesve myslimanë.

“Disa zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës deklaruan se niveli i ndjenjave anti-myslimane në media është rritur dhe thanë se kjo mund të dëmtojë mundësitë e punësimit për myslimanët e devotshëm”, thuhet në raport.

Ai thekson se një kolumnist gazete u është referuar myslimanëve që mbështesin presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si “plehra” dhe “talibanë”.

Po sipas raportit, Policia e Kosovës, në nëntë muajt e parë të këtij viti, ka raportuar 61 incidente me motiv fetar, shumica prej të cilave kanë pasur në shënjestër lokacionet fetare, përfshirë varrezat.

Shumë incidente ishin të lidhura me përkatësinë etnike, si dhe me fenë, thekson raporti.

Ai, mes tjerash, përmend një rast të 6 janarit, kur, siç thuhet, shqiptarët kanë kërcënuar një prift serb para kishës së tij në Novobërdë dhe një tjetër rast në korrik, kur persona të panjohur kanë vandalizuar varrezat ortodokse në Lipjan.

Raporti po ashtu kujton se zyrtarët e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë kanë vazhduar t’i inkurajojnë autoritetet që të mbrojnë lokacionet fetare dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe./REL

(Kosova Sot Online)