Avdullah Hoti thotë se Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet

  • 10 June 2020 - 22:12
 Avdullah Hoti thotë se Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se përkundër që LDK ka qenë kundër ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit, ajo ka bërë kompromis me AAK’në që të ndërtohet ajo por që të ndiqet aq sa është e mundur traseja ekzistuese. Ai thotë se ndërtimi i saj do të fillojë vitin tjetër.

“Për aq kohë sa një parti politike nuk fiton mbi 50% të elektoratit nënkupton se elektorati ka qëndrime të ndryshme që duhet të harmonizohen brenda një koalicioni. Qëndrimi jonë si LDK ka qenë se s’ka nevojë të ndërtohet Autostrada e Dukagjinit, qëndrimi i AAK-së është që të ndërtohet autostrada, ne kemi arritur një kompromis që kjo të bëhet pjesë e programit qeverisës, në përputhje me buxhetin që do të kemi do t’i hyjmë këtij projekti. Për aq sa është e mundur të ndjekim trasen ekzistuese, me koston që s’është ngarkesë për buxhetin e Kosovës”, thotë ai.

Ai në tha se asnjë autostradë s’është e dëmshme për Kosovën dhe se në momentin kohor do të dihet edhe shpenzimet për këto autostrada por që tani prioritet është rimëkëmbja ekonomike.

“Ne kemi mbështetje të caktuar të elektoratit, për politikat tona programore, partitë tjera në këtë rast AAK ka mbështetje të caktuar dhe për të bashkëqeverisur duhet të respektojmë vullnetin e pjesës së caktuar të elektoratit. Asnjë autostradë s’është e dëmshme për Kosovën. Në momentin kohor do të shihen shpenzimet ato dhe prioritet që ka vendi, tani kemi prioritet rimëkëmbjen ekonomike. Gjatë këtij viti s’ka mundësi për autostrada, por gjatë kohës së ardhshme besoj se bashkë me partneret e koalicionit do t’i gjejmë dakordimet nëpër sektorë të ndryshëm dhe ai program qeverisës”, tha Hoti.

(Kosova Sot Online)