Ashpërsimi i gjuhës mes krerëve të politikës në Kosovë, reagon QUINT-i
Shtetet e QUINT-it përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje në drejtim të udhëheqësve politikë në Kosovë që diskutimet e tyre t’i bëjnë pa fyerje dhe kërcënime.
Sipas QUINT-it, gjuha nxitëse dhe në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e synimeve politike mund të çojnë në një atmosferë e cila krijon hapësirë për akte dhune.
“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës të diskutojnë lidhur me sfidat dhe mundësitë e shumta me të cilat përballet Kosova pa fyerje dhe kërcënime. E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqërorë dhe respektimin e lirisë së shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mire”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
Një reagim i tillë i QUINT-it vjen pas një fushate që është iniciuar në rrjete sociale kundër kryetare së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, për kinse lidhjet e familjarëve të saj me Serbinë.
Një fushate të tillë i ishte bashkuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili madje kishte premtuar se do të publikojë fakte shtesë për lidhjet e familjes së Vjosa Osmanit me Serbinë nëse kjo e fundit reagon.
Ndaj deklarimeve të Thaçit kishte reaguar ashpër vetë Osmani, e cila kishte thënë se “gjarpri po synon që të kafshojë nderin e familjes”/
(Kosova Sot Online)