Pranojnë fajësinë dy të akuzuarat që i ishin bashkuar ISIS’it

  • 11 June 2020 - 16:45
 Pranojnë fajësinë dy të akuzuarat që i ishin bashkuar ISIS’it

Të akuzuara për veprën penale, “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, Laura Iseni dhe Arlinda Abazi, e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të dy të akuzuarat thanë se pendohen për veprën penale për të cilën akuzohen, duke e lutur gjykatën që ndaj tyre të shqiptohen dënime më të buta.

E akuzuara Iseni tha se ka qenë e re, vetëm 20 vjet kur kishte shkuar në Siri, ndërsa shtoi se është nënë e katër fëmijëve dhe se është pranuese e ndihmës sociale.

“Jam e lumtur që jam kthyer në Kosovë, e falënderoj shtetin”, tha Iseni në fjalën e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i Trupit Gjykues, Valon Kurtaj, e pyeti të akuzuarën Iseni për kushtet që i kishte pasur sa kishte qenë në një zonë lufte siç ka qenë Siria, mirëpo, Iseni tha se nuk ka pasur ndonjë problem shëndetësorë gjatë kohës sa kishte qenë atje.

Kurse avokatja e saj, Mihane Shala tha se pas pranimit të fajësisë nga ana e të mbrojturës së saj, i propozon gjykatës që ndaj të njëjtës të shqiptohet një dënim më i butë, eventualisht me kusht.

Edhe e akuzuara tjetër, Arlinda Abazi tha se është penduar se kishte shkuar në Siri me burrin e saj, ndërsa shtoi se është nënë e dy fëmijëve.

Mbrojtësja e saj, avokatja Merita Bajraktari, kërkoi nga gjykata që pranimin e fajësisë nga e akuzuara dhe rrethanat tjera, të merren parasysh me rastin e matjes së dënimit, ashtu që ndaj të njëjtës, të shqiptohet një dënim sa më i butë.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve u pajtua edhe prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova, e cila i propozojë gjykatës që me rastin e matjes së dënimit, të merren parasysh rrethanat lehtësuese së të akuzuarve, sikurse fakti se të njëjtat janë nëna të fëmijëve të vegjël.

Po ashtu, prokurorja i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarve të shqiptohet edhe masa e mbikëqyrjes nga Shërbimi Sprovues, përkatësisht, ndaj të njëjtave të angazhohet edhe psikologu.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Kurtaj e aprovoi pranimin e fajësisë, kurse shpallja e aktgjykimit tha se do të bëhet më 15 qershor 2020, ora 9:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës më 19 maj 2020, të pandehurat akuzohen se me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, ashtu që duke shkuar në Siri iu kanë bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”, me qëllim që duke luftuar të krijojnë shtetin islamik të Irakut dhe Levantit.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Iseni, me vëllain e bashkëshortit të saj dhe dy fëmijët e saj, si dhe e akuzuara tjetër Abazi, po ashtu me vëllain e bashkëshortit të saj, përmes aeroportit të Tiranës kanë shkuar fillimisht në Stamboll e pastaj në Siri.

Secila veç e veç, sipas prokurorisë, duke përdorur shumën e rregullte të të hollave nga Shteti Islamik, u kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve meshkuj të familjes.

Sipas aktakuzës, të akuzuarat kanë qëndruar në Siri deri sa organizata ISIS kishte pësuar disfatë dhe ishin detyruar të dorëzoheshin tek forcat kurde e ku pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane, ishin depërtuar në Kosovë.

Me këtë, Iseni dhe Abazi akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

(Kosova Sot Online)