Tahiri thotë se me Serbinë duhet të bisedohet vetëm për njohje: Jemi të mbrojtur nga Asocacioni

  • 11 June 2020 - 22:18
 Tahiri thotë se me Serbinë duhet të bisedohet vetëm për njohje: Jemi të mbrojtur nga Asocacioni

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria dëshiron ta bëjë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por pa kompetenca ekzekutive.

Ai ka thënë se Kosova është e mbrojtur nga dy tema të rrezikshme siç janë ndarja e territorit dhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Sipas Tahirit të parën e ka mbrojtur ish-kryeministri Ramush Haradinaj e të dytën Gjykata Kushtetuese.

Ai ka thënë se duhet pasur kujdes që në dialogun me Serbinë të mos hynë tema të parëndësishme.

Sipas tij, në dialog duhet të bisedohet vetëm për njohje reciproke.

Tahiri thotë se në dialog Kosova është e mbrojtur nga Asociacioni i Komunave Serbe.

“Ne duhet pasur kujdes mos me hy në tema qe janë të parëndësishme, diskutimi për normalizim të marrëdhënieve është i pakuptueshëm. Marrëdhëniet në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë normalizuar në forume të ndryshme. Ka biznesmen që kanë marrëdhënie ekonomike me biznesmen në Serbi. Njohja reciproke na shërben për qartësimin e rrugës tonë drejt BE-së sepse ne rrugë tjetër nuk kemi. E dyta është anëtarësimi në OKB”, thuhet në njoftim.

Ai ka thënë se Qeveria ka përgatitur platformën për dialogun, të cilën sipas tij do t’ia dorëzojë të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Aty janë të vendosura tri parimet themelore, njëra është integriteti territorial, e dyta është që Asociacioni duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe e treta është njohja reciprok”, ka thënë ai.

Sipas tij, “pa njohje reciproke do të ketë kthim në takimet që kishte fotografi të buzëqeshura e nënshkrim i marrëveshjeve që nuk kanë dhënë rezultat në praktikë”.

Tahiri ka thënë se dialogu ka nisur që të mbyllë disa çështje të hapura me Serbinë, lehtësimin e rrugës se Kosovës drejtë BE-së e për të cilën thotë se nuk ka ndodhur.

Ai tutje shton se BE-ja i lëvizë fjalët kur është koha e vendimeve.

Sipas tij, liderët institucional duhet t’i takojnë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë. Tahiri thotë se Lajçak e përfaqëson BE-në, porse sipas tij, kur vjen puna te dialogu, numër një janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk ka asgjë të keqe me pas samite dhe përfaqësim të kryeministrit të Kosovës ku ulet i barabartë me një kryeministër tjetër. Nuk duhet të ikim, vetëm nuk duhet të lejohet nënshkrimi i marrëveshjeve të dëmshme. Mua më jep siguri flamuri i SHBA-ve në tavolinë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)