Vrau bosin shqiptar në Londër, del në gjykatë ‘killeri’, ja deklarata e tij

  • 12 June 2020 - 11:10
Vrau bosin shqiptar në Londër, del në gjykatë ‘killeri’, ja deklarata e tij

Një 22 vjeçar ka dalë para gjykatës për vrasjen e 26 vjeçarit shqiptar në Londër pak muaj më parë. Flamur Beqiri, i konsideruar si ‘zot’ i krimit në Suedi dhe i shpallur në kërkim atje, vdiq nga plagët e shumta që mori shumë pranë shtëpisë së tij prej 1.5 milion paundësh në kryeqytetin britanik në fund të dhjetorit të shkuar.

Qytetari suedez Anis Fouad Hemissi, 22 vjeç, u paraqit në gjykatën e Old Bailey në Londër të mërkurën, i akuzuar për vrasje dhe posedim të armës së zjarrit, shkruan BBC.

Ai u ekstradua nga Danimarka në Mbretërinë e Bashkuar të hënën, pasi u arrestua në Aeroportin e Kopenhagës më 20 janar nën një urdhër evropian arresti.

Prokurori Catherine Farrelly i tha gjykatës Z. Hemissi ishte një sulmues dhe ishte larguar nga vendi brenda disa orësh nga vrasja.

“Ai fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar katër ditë para krimit dhe qëllimi i vetëm i udhëtimit të tij ishte ekzekutimi i të ndjerit. Ishte një krim i organizuar dhe brenda disa orësh fluturoi jashtë vendit. Ai fluturoi në Kopenhagë ndërsa u lëshua një urdhër arrestimi”.

Hemissi, nga Malmo, Suedi, u paraqit në gjykatë përmes lidhjes video nga burgu Wormwood Scrubs në Londër.

Ai konfirmoi emrin e tij në seancë dhe i kërkoi gjykatës që të sigurojë një përkthyes suedez në të ardhmen. Avokati i tij, David Harounoff, i tha gjykatës se klienti i tij do të mohojë akuzat dhe do të kërkojë që çështja të pushohet.

“Kjo do të jetë një çështje e diskutueshme,” shtoi ai.

Gjykatësi Angela Rafferty ka caktuar një datë për seancën dëgjimore më 27 gusht.

(Kosova Sot Online)