Bogujevci iu drejtohet qytetarëve: Shumë shpejt do të jemi në zgjedhje, t’ua kthejmë juve të drejtën

  • 12 June 2020 - 17:52
Bogujevci iu drejtohet qytetarëve: Shumë shpejt do të jemi në zgjedhje, t’ua kthejmë juve të drejtën

Në tubimin e VV-së ka folur edhe deputetja e kësaj partie, Saranda Bogujevci.

Ajo ka treguar se e ndanë këtë ditë edhe si ditëlindja e saj.

“Në fakt do të ishte dashur të kemi shumë arsye për të festuar, falë luftës së UÇK-së, ndihmës së NATO-s dhe popujve miq kudo në botë, në këtë ditë, 21 vite më parë u çliruam nga regjimi i Millosheviqit e nga Serbia, por për herë të parë u çliruam për të qenë të pavarur e të lirë. Po në këtë ditë lindi Lëvizja Vetëvendosje, sot Lëvizja gëzon 15 vite të ekzistencës të saj dhe dua të them që jam me fat dhe e nderuar që jam pjesë e saj dhe sot si Lëvizje jam së bashku me ju. Sot unë me ju po e festoj edhe ditëlindjen time. Përveç që ndaj ditëlindjen me Lëvizjen, e ndaj po ashtu ditëlindjen me vajzat e axhës që i mbijetuan luftës bashkë me mua, gjithashtu edhe me kushërirën time edhe Valbonën, po ashtu në këtë ditë është lindur Ana Frank që nuk iu mbijetoi kampeve.”, tha Bogujevci.

Ajo tha se askush nuk guxon të shkelë mbi sovranin dhe qytetarin.

“Kemi dhënë shumë për këtë ditë, por për të festuar lirinë që e kemi tani, do të duhej të ndërtonim shtet të fortë, shtet demokratik, të barabartë, ne ende nuk kemi mund t’i heqim pengesat që e pengojnë aspiratën tonë. Ne së bashku mund të ndryshojmë vendin tonë. Askush nuk guxon të jetë mbi sovranin dhe qytetarin e këtij vendi.”, tha Bogujeci.

Bogujevci ka thënë gjithashtu se së shpejt do të ketë zgjedhje në Kosovë ku edhe do të marrin të drejtën të vendosin për zgjedhje.

(Kosova Sot Online)