Arben Vitia në tubim: Të tjera sfida kemi përpara, ndoshta edhe më të rënda

  • 12 June 2020 - 18:24
Arben Vitia në tubim: Të tjera sfida kemi përpara, ndoshta edhe më të rënda

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka folur edhe për pandeminë duke falënderuar qytetarët, mjekët, infermierët, psikologët dhe kushdo që ka ndihmuar.

“Çdo ditë në organizimin politik është ditë e kapërcimit të vetës, sot duket se u kapërcyen të pakapërcyeshmit, shfaqen kreshta të reja, një nga këto kreshta sapo e kapërcyem në këmbë dhe solidarë. Të tjera sfida kemi përpara, ndoshta edhe më të rënda, por këto sfida janë fitore që na ngjitin në maja më të larta ku do të duket edhe më shumë drita. Së bashku do të kalojmë çdo sfidë me vizion e vullnet, pa u ndalur. Gjatë këtyre muajve e kemi parë se sa është i rëndësishëm vullneti i mirë, aktivisti, qytetari aktiv dhe puna vullnetare. Betejen me pandeminë do ta kishim të pamundur pa mjekët, pa infermierët, pa studentët, pa psikologët që kanë rrezikuar vetën për të shpëtuar dhe për të na shërbyer neve.”, tha Vitia.

Ish ministri Vitia ka folur edhe për vullnetarët dhe aktivistët e VV-së.

“I duam të vendosurit, të vendosurit e vullnetit, ata që vullnetshëm e bëjnë hapin e parë. I duam shërbyesit e vendit, të përkushtuarit e kujdesit, ata që nuk përzgjedhin por përfshihen, i duam mbrojtësit ata që i rrinë rrezikut me vetëdije, i duam mjekët e infermierët, trimërueset e të tanishmes, i duam vullnetarët sepse ata nuk i duan falënderimet, ngase vullnetarët motor të veprimit e kanë ndihmën. Qofshin ata vullnetarë, ngritja e vendit tonë”, tha Vitia.

(Kosova Sot Online)