Frika nga vala e dytë e koronavirusit rrit rrezikun për mbyllje tjetër

  • 12 June 2020 - 18:29
 Frika nga vala e dytë e koronavirusit rrit rrezikun për mbyllje tjetër

Frika nga vala e dytë e infeksionit me COVID-19 ka bërë që të mbyllen gjashtë tregje të mëdha të ushqimit në Pekin të premten. Ndërkohë India, që ka hequr masat e kufizimit këtë javë, ka regjistruar rritje rekorde të rasteve. Në SHBA ka pasur raportime për mbushje të shpejtë të shtretërve në spitale.

Zyrtarë shëndetësorë në gjithë botën kanë shprehur shqetësime së fundi se disa vende që po përballen me shkatërrim të ekonomisë për shkak të bllokimit, mund të heqin kufizimet lehtë. Brenga tjera janë paraqitur për shkak të mundësisë së lehtë të përhapjes së koronavirusit për shkak të protestave masive anti-racore, raporton Reuters.

“Ne duhet të jemi të gatshëm për të tërhequr relaksimin e masave nëse kjo është e nevojshme”, ka thënë komisionerja e EU-së për shëndetësi, Stella Kyriakides, që ka bërë thirrje për 27 vendet anëtarë të shkojnë para me testimin e popullatës, ndërkohë që shkollat dhe bizneset po rihapen.

Në Kinë, prej nga e ka origjinën koronavirusi i ri, dy raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në kryeqytet. Autoritetet kanë mbyllur pjesërisht apo tërësisht gjashtë tregje të mëdha të ushqimit, që dy burrat i kishin vizituar së fundi. Por nuk dihet si janë infektuar ata.

India ka lejuar transportin publik, ka hapur zyrat dhe qendrat tregtare, pas afro 70 ditësh bllokim. Kjo është bërë ndonëse ekspertët shëndetësorë kanë thënë se duhen edhe disa javë për të nisur rënia e numrit të rasteve të reja.

Numri i të vdekurve prej 8498 është relativisht i vogël, por ministria e shëndetësisë tha se rastet e regjistruara janë rritur për 10.956 të premten, që është rekord. Shumica e rasteve janë në Delhi, Mumbai dhe Chennai.

Në Turqi, organizata kryesore mjekësore ka thënë se lehtësimi i masave më 1 qershor ishte shumë i hershëm, ndonëse numri i të vdekurve ka shkuar duke rënë.

“Ka fjalë për atë se kur do të nis vala e dytë, por ne nuk e kemi kaluar as valën e parë”, ka thënë Cavit Isik Yavuz, pjesë e ekipit që hulumton për koronavirus në Asociacionin Mjekësor të Turqisë.

(Kosova Sot Online)