Shkencëtarët britanikë thonë se koronavirusi mund të merret edhe përmes ledhatimit të kafshëve

  • 13 June 2020 - 08:45
Shkencëtarët britanikë thonë se koronavirusi mund të merret edhe përmes ledhatimit të kafshëve

Shkencëtarët qeveritarë të Britanisë së Madhe kanë paralajmëruar se njerëzit mund të infektohen me koronavirus edhe përmes ledhatimit të qenve apo maceve.

Sipas një raporti zyrtar të kryveterinerit britanik, kafshët shtëpiake mund ta bartin virusin në gëzofin e tyre, gjë që e shton rrezikun e transmetimit nga njeriu në njeri, shkruan “Daily Mail”,

Në raport thuhet: “Kontakti i ngushtë si përqafimi, krehja, ushqyerja dhe lejimi i kafshëve që ta ndajnë ushqimin ka gjasa ta mundësojnë përhapjen e virusit.”

Kjo do të thotë se nëse një anëtar i familjes e ka virusin, kafsha shtëpiake mund ta përhapë atë te një anëtar tjetër.

Raporti paralajmëron se virusi mund të mbijetojë në gëzofin e kafshëve, duke e lënë mundësinë që kafsha të veprojë si objekt infektues për së paku disa orë dhe ta përhapë virusin te të tjerët në shtëpi.

Në dokument thuhet se qentë dhe macet që kanë qenë në kontakt me një pacient me koronavirus paraqesin rrezik të lartë për njerëzit që kanë sëmundje të tjera, siç janë kanceri dhe diabeti.

Përmes dokumentit këshillohen pronarët e kafshëve shtëpiake që kanë simptoma që t’ua parandalojnë kontaktin qenve apo maceve me personat e prekshëm.

(Kosova Sot Online )