Grupi “Al Shabaab” i futet mjekësisë, ndërton qendër për trajtimin e koronavirusit

  • 13 June 2020 - 09:50
Grupi “Al Shabaab” i futet mjekësisë, ndërton qendër për trajtimin e koronavirusit

Grupi famëkeq “Al Shabaab”, me bazë në Somali, ka njoftuar se e ka hapur një qendër për trajtimin e sëmundjes Covid-19. Ky grup ka thënë se virusi i ri paraqet kërcënim të madh, duke i cituar autoritetet shëndetësore ndërkombëtare.

“Komisioni i Al Shabaab-it për parandalimin dhe trajtimin e koronavirusit e ka hapur qendrën për Covid-19”, thuhet në njoftimin e këtij grupi në radiostacionin Andalus, duke shtuar se  qendra ndodhet në Jilib, rreth 380 kilometra në jug të kryeqytetit Mogadishu.

“Organizatat shëndetësore ndërkombëtare kanë thënë se Covid-19 është duke u përhapur në mënyrë të tmerrshme në vendet e kontinentin afrikan”, thuhet më tej në njoftim.

Për më shumë se një dekadë, grupi “Al Shabaab” ka luftuar për ta rrëzuar qeverinë e Somalisë, e cila përkrahet nga Perëndimi, duke synuar që ta formojë qeverinë e vet, të bazuar në interpretimin e rreptë të ligjit islam, Sheriat.

Ky grup shpesh kryen sulme me bomba dhe armë kundër ushtrisë dhe civilëve. Cak i sulmeve në të kaluarën kanë qenë hotelet dhe pikat e kontrollit, shkruan “Reuters”,

(Kosova Sot Online )