Finalja me Serbinë dhe përkrahja amerikane, kryediplomatja kosovare flet me Palmer, Albright dhe Clark

  • 13 June 2020 - 11:27
 Finalja me Serbinë dhe përkrahja amerikane, kryediplomatja kosovare flet me Palmer, Albright dhe Clark

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, me të cilin ka biseduar për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

Sipas njoftimit të publikuar nga vetë kryediplomatja, me Palmer kanë diskutuar edhe për zhbllokimin e fondeve milionëshe të MCC’së, të cilat ishin pezulluar përkohësisht shkaku i refuzimit të kërkesës amerikane për heqje të barrierave që pengonin rinisjen e negociatave me Serbinë.

Haradinaj-Stublla ka thënë se finalja me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke.

“Pata një bisedë të frytshme me zëvendës asistentin e Sekretarit të Shtetit dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin perëndimor, Mattheë Palmer. Falendërova Palmer-in për zhbllokimin e fondeve të MCC’së dhe gjithashtu për energjinë dhe vëmendjen në përpjekjet për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë që rezulton me njohje reciproke”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Në të njëjtën ditë, përveç Palmer, kryediplomatja kosovare ka zhvilluar biseda edhe më ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright dhe gjeneralin tashmë të pensionuar të forcave amerikane, Wesley Clark.

Më të dy, Haradinaj-Stublla ka biseduar në ditën e çlirimit të Kosovës.

“Albright dhe Clarck janë mishërimi i gjallë i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nder i veçantë që të flas sot me Sekretaren Madeleine Albriht dhe Gjeneralin Clark të cilët i dhanë kuptim dhe jetë rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Faleminderit Amerikë”, ka shkruar Meliza Haradinaj-Stublla.

Sot janë bërë dhjetë ditë që prej kur Kosova drejtohet nga Qeveria e Avdullah Hotit.

(Kosova Sot Online)