Polonia e pushtoi gabimisht një pjesë të Çekisë, thotë se e tëra ishte keqkuptim

  • 13 June 2020 - 13:05
Polonia e pushtoi gabimisht një pjesë të Çekisë, thotë se e tëra ishte keqkuptim

Ushtria polake e ka pranuar se aksidentalisht e ka pushtuar një pjesë të territorit të Republikës Çeke muajin e kaluar, por ka këmbëngulur se veprim ka qenë thjesht keqkuptim.

Ushtarët polakë gabimisht e kaluan kufirin me Republikën Çeke në fund të majit para se të vendoseshin aty, njoftoi Ministria e Jashtme çeke.

Ushtarët që kishin qenë duke e ruajtur një pjesë të kufirit të mbyllur mes dy vendeve gjatë pandemisë filluan t’i kthenin prapa qytetarët çekë, të cilët po bënin përpjekje të vizitonin një kishë në shtetin e tyre.

Ky veprim i ushtrisë polake bëri që ambasada çeke në Poloni të merrte masa dhe t’i njoftonte autoritetet polake, tha qeveria çeke, duke shtuar se Polonia ende nuk ka sqaruar në mënyrë formale pse e ka aneksuar gabimisht territorin e vendit fqinj, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

“Homologët tanë polakë jozyrtarisht na kanë siguruar se ky incident ka qenë thjesht një keqkuptim të shkaktuar nga ushtria polake pa qëllim armiqësor. Megjithatë, ne ende jemi duke e pritur një deklaratë zyrtare”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Republikën Çeke.

“Ushtarët polakë nuk janë më të pranishëm dhe qytetarët përsëri mund ta vizitojnë atë vend lirshëm”, shtoi ky zëdhënës.

Incidenti ndodhi afër fshatit Pielgrzymow, që ndodhet në pjesën jugore të Polonisë, në kufi me Republikën Çeke.

Ndryshe, Polonia ishte e përfshirë në disa raste më serioze të konflikteve kufitare me Çekosllovakinë gjatë shekullit të kaluar. Këto dy vende e kishin zhvilluar një luftë 7-ditore në vitin 1919 për territor në rajonin Silesia.

(Kosova Sot Online)