Kufomat e vjetra në Brazil po nxirren nga varret për t’u lënë vend të vdekurve nga Covid-19

  • 13 June 2020 - 16:14
 Kufomat e vjetra në Brazil po nxirren nga varret për t’u lënë vend të vdekurve nga Covid-19

Mbetjet e personave që kanë vdekur para një kohe më të gjatë po nxirren nga varret në Brazil për të krijuar hapësirë për varrosjen e personave që kanë vdekur së voni nga sëmundja Covid-19.

Me 41,828 të vdekur, Brazili ia ka zënë vendin e dytë Britanisë së Madhe për më së shumti të vdekur nga Covid-19 në botë. Të premten, Brazili i regjistroi 909 viktima të sëmundjes së re. Ai është vendi më i goditur nga pandemia në Amerikën Latine me mbi 828,000 të infektuar.

Qyteti më i madh brazilian, Sao Paulo, tashmë po e liron hapësirën për kufomat e reja duke i larguar eshtrat e personave që kanë vdekur më parë dhe duke i vendosur eshtrat e tyre në kontejnerë të mëdhenj prej metali.

Shërbimi lokal për funerale ka njoftuar se mbetjet e personave që kanë vdekur para tre vjetësh do të largohen nga varrezat dhe do të vendosen në qese me numra dhe më pas do të vendosen përkohësisht në 12 kontejnerë.

Sao Paulo është një prej pikave më të nxehta të përhapjes së Covid-19 me 5,480 të vdekur deri të enjten në qytetin me 12 milionë banorë, shkruan “Metro UK”.

Ekspertët shëndetësorë janë të shqetësuar për një valë të re të përhapjes. Pritet që kulmi i pandemisë në Brazil të mos arrijë para muajit gusht.

(Kosova Sot Online)