COVID-19 në Istog: 5 punonjës shëndetësorë patën kontakt me tregtarin e infektuar

  • 15 June 2020 - 15:33
COVID-19 në Istog: 5 punonjës shëndetësorë patën kontakt me tregtarin e infektuar

Dy raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar të dielën në komunën e Istogut. Drejtori i Shëndetësisë atje tha për Express se janë raste kontakti. Ai ka bërë të ditur se në mesin e personave të infektuar deri më tani në këtë komunë, është edhe një punonjëse shëndetësore. Po ashtu, edhe pesë punonjës shëndetësorë po qëndrojnë dhe do të testohen, pasi kanë mjekuar të prekurin me koronavirus

Pas rreth dy javësh pa raste pozitive me COVID-19 në komunën e Istogut, nga data 10 qershor janë kthyer rastet me koronavirus atje.

Një tregtar nga fshati Shushicë ishte konfirmuar me COVID-19, ndërkaq nga testimi i kontakteve të tij kanë rezultuar pozitiv edhe 11 persona të tjerë.

Në mesin e tyre është edhe një punonjëse shëndetësore e QKMF’së së Istogut, e cila i kishte dhënë infuzionin të prekurit me koronavirus.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, tha se kontaktet e punonjëses shëndetësore janë testuar dhe kanë rezultuar negative.

Rastet e deritanishme kanë qenë kontakte, familjarë. Në mesin e tyre është një punonjëse shëndetësore e cila ka pasur kontakt me pacientin nga fshati Shushicë, i ka dhënë infuzionin. Kontaktet e saj janë testuar dhe kanë dalë negative”, ka thënë Osmanaj.

Osmanaj deklaroi se janë në gjurmim të personave tjerë me të cilët mund të kenë pasur kontakt burri nga fshati Shushicë dhe punonjësja shëndetësore.

“Jemi në hulumtim edhe të kontakteve tjera. Po ashtu ka edhe tjerë punonjës shëndetësore të cilët kanë pasur kontakt me burrin nga Shushica, i kanë dhënë terapi, janë rreth 5 persona, po qëndrojnë të izoluar dhe do të testohen”, ka deklaruar Osmanaj.

Istogu nuk ka pasur raste me COVID-19 nga data  25 maj deri më 10 qershor.

Tani raste aktive atje janë 14.

Ndërkohë, nga data 8 shkurt deri më 14 qershor, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me metodën RT-PCR, janë testuar 18 mijë e 512 persona të dyshimtë me virusin RARS-Cov-2.

Prej tyre kanë rezultuar pozitivë 1 mijë e 486 persona, nga të cilët kanë vdekur 33 dhe janë shëruar 953.

Raste aktive të konfirmuara në Kosovë momentalisht janë 500.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së po trajtohen 43 persona me COVID-19.

Nga ta, 22 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi si dhe një pacient tjetër është në përkujdesje intensive.

(Kosova Sot Online)