Lajçak nesër ka takim me Hotin, gjatë 3 ditëve s’do të jetë takimi i vetëm

  • 15 June 2020 - 16:45
 Lajçak nesër ka takim me Hotin, gjatë 3 ditëve s’do të jetë takimi i vetëm

Derisa presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk dihet nëse nesër do të takohet me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, i njëjti takimin e parë do ta ketë me kryeministrin e shtetit, Avdullah Hotin.

Express merr vesh se takimin në mes të Lajçakut dhe Hotit është paraparë që të mbahet në ora 10:30 në zyrën e kryeministrit. Gjithashtu, kryeministri do të takohet me të dërguarin e BE’së në dialog edhe në ditët tjera të vizitës në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut që prej emërimit të tij si emisar i BE-së për dialogun, ndërkohë në Kosovë u ndërruan dy qeveri.

Në një njoftim për media nga zyra e BE’së në Kosovë kanë bërë të ditur se Lajçak do të qëndrojë në Kosovë për tri ditë, nga 15 deri më 18 qershor.

“Në Kosovë, Ambasadori Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjatë qëndrimit në Kosovë, PPBE-ja do të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u njohur me situatën në terren”, shkruhet në njoftim.

Para disa ditëve, Lajçak ka bërë të ditur se është takuar me ekipin e tij për dialogun në Bruksel, me të cilët kanë diskutuar për punën në ditët në vazhdim.

Pas vizitës së tij në Kosovë, Lajçak pritet që të vizitojë edhe Serbinë, derisa, për këtë çështje ka folur sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se pas vizitës që i dërguari i BE’së, Miroslav Lajçak, do të ketë në Kosovë, më 22 qershor do të vizitojë Beogradin.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po qëndron pezull që nga vendosja e taksës, në nëntor të vitit 2018-të, nga Qeveria në krye me Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)