Ministria ua pagoi më shumë se një pension disa personave, dëmtuan buxhetin rreth 1 milion euro

  • 16 June 2020 - 16:56
 Ministria ua pagoi më shumë se një pension disa personave, dëmtuan buxhetin rreth 1 milion euro

Përfitimi i më shumë se një pensioni nga një person, e ka dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për gati 1 milion euro gjatë vitit të kaluar. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, pagesa të tilla ishin kryer edhe në vitet paraparake, derisa rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni, janë përfituesit nga kategoria e TMK’së dhe FSK’së.

Në raportin e audimit për MPMS’në, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se janë kryer pagesa në vlerë  prej 991 mijë e 852 euro pa bazë të qartë ligjore.

“Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe ndihmat sociale, kemi konstatuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë prej 991,852€ pa bazë të qartë ligjore. Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilët përfitojnë edhe pensione tjera”, thuhet në raport.

Sipas ZKA’së, pagesa e pensioneve për personat të cilët janë përfitues të më shumë se një skemë pensionale mund të shkaktojnë dëmtim të përfituesve të pensioneve apo dëmtim të buxhetit të ministrisë.

Auditori i ka rekomanduar Ministrit që të inicioj menjëherë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore.

Përveç që personat e njëjtë kishin marrë më shumë se një pension, Auditori ka gjetur se nga skemat dhe ndihmat sociale kanë përfituar persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale.

Vlera e këtyre pagesave për vitin 2019 ishte 124 mijë e 632 euro.

 “Kjo kishte ndodhur për shkak të deklarimeve të mëvonshme që bëhen në ATK dhe që reflektohen në muajt përkatës, për të cilat nuk kishte informata në kohën kur ishin bërë krahasimet mujore nga ana e ministries”, thuhet në raport.

Ndryshe,media  dje ka raportuar se si mbajtja e personave të vdekur në listat e përfituesve të pensioneve i ka kushtuar buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 142 mijë e 345 euro.

 “Pagesa e pensioneve pas vdekjes së përfituesve- Vlera e të cilave ishte 142,345€. Kjo kishte ndodhur për arsye se regjistrimi i vdekjeve në ARC ishte bërë me vonesë dhe për këto raste Ministria nuk ishte në dijeni”, thuhet në raportin e ZKA’së.

(Kosova Sot Online)