Çfarë pret Lajçak nga Hoti dhe çfarë shkroi për takimin me Thaçin

  • 16 June 2020 - 23:04
 Çfarë pret Lajçak nga Hoti dhe çfarë shkroi për takimin me Thaçin

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka mbërritur sot në kryeqytetin kosovar, për takime me krerët e shtetit.

Lajçak ka takuar gjatë së martës presidentin e vendit Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Pas takimeve, ai ka treguar detaje të bisedimeve me udhëheqësit kosovarë.

Lajçak ka shkruar në Twitter se çfarë pret nga Hoti, teksa ka zbuluar se si rrodhi takimi i tij me Thaçin.

“Takimi i parë në ditën e parë në Prishtinë me presidentin Hashim Thaçi: një mundësi e mirëpritur për një diskutim të detajuar për pritjet dhe modalitetet për rifillimin e shpejtë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja”, ka ‘cicëruar’ Lajçak në rrjetin social.

“I lumtur që u takova sy më sy me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, pas dy muajsh bisedash me telefon. Kemi diskutuar për rrugën përpara drejt rifillimit të shpejtë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja, dhe për nevojën që Kuvendi të jetë plotësisht mbështetës”, ka shkruar Lajçak më vonë.

“Faleminderit kryeministër Avdullah Hoti për bashkëpunimin me BE’në që kjo vizitë e rëndësishme të realizohej aq shpejt pasi morët detyrën! Kemi folur për hapat e ardhshëm konkretë për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja, për modalitetet dhe për pritjet. Mezi po pres që të bashkëpunojmë ngushtë”, është shprehur diplomati sllovak në fund.

(Kosova Sot Online)