Komuna e Obiliqit sot pret testimet me koronavirus për vetëm dy raste

  • 17 June 2020 - 15:43
 Komuna e Obiliqit sot pret testimet me koronavirus për vetëm dy raste

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Obiliqit, Vlora Kabashi i ka thënë medias se vetëm dy mostra do të testohen sot për koronavirus në IKSHPK. Ajo tha se këto dy mostra janë raste kontakti.

Nga 141 rastet pozitive ditën e djeshme me koronavirus në tërë Kosovën, komuna e Obiliqit ka pasur gjithsej nëntë raste.

Sipas IKSHPK’së, në këtë komunë nga nëntë rastet e reja, shtatë janë personel shëndetësor, ndërsa dy raste tjera janë raste kontakti me një person të infektuar nga komuna e Prishtinës.

Por kjo komunë sot është duke pritur testimet e vetëm dy mostrave për Covid-19.

Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Kabashi, ka thënë për Express se janë duke pritur rezultatet e dy personave.

“Sot i kemi për testim 2 raste nga Komuna e Obiliqit të cilat po i presim dhe të gjitha janë raste kontakti”, ka thënë ajo.

Ajo tha se më tani në këtë komunë janë marrë 80 mostra nga të cilat 28 kanë rezultuar pozitiv, kurse 26 raste janë aktive me dy raste të shëruara.

“Që nga fillimi i pandemisë deri më sot janë marrë 80 mostra, 28 nga ta kanë rezultuar pozitiv, 26 raste i kemi aktive dhe 2 të shëruar, kurse i treti me ritestimin e parë ka rezultuar negativ dhe pritet të ritestohet prapë dhe shpresojmë të dalë negativ dhe do të kemi 3 raste të shëruar”, është shprehur ajo.

Dje janë shënuar shifra rekorde të rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë me gjithsej 141 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.756 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 968 raste.

(Kosova Sot Online)