Hoti: Në Washington nuk shkojmë për normalizim të marrëdhënieve, por për njohje reciproke

  • 17 June 2020 - 17:20
 Hoti: Në Washington nuk shkojmë për normalizim të marrëdhënieve, por për njohje reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur para mediave pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Hoti ka thënë se në takimin e 27 qershorit shkon për të diskutuar vetëm për njohjen reciproke.

Ai thotë se delegacioni që do të përfaqësojë Kosovën finalizohet ditëve të ardhshme.

“Në takimin në Washington fillojmë procesin e dialogut për njohje reciproke në mes të dy vendeve, unë do të përfaqësoj qeverinë në bazë të Kushtetutës, delegacioni do të formohet në ditët e ardhshme. Nuk kemi asnjë hezitim në këtë drejtim. Atë që e kemi bë janë të gjitha veprimet tona, platforma për dialog, kemi zgjatë dorën te opozita, nesër kam takime me ambasadorët e 27 vendeve të BE’së. Sot kemi pasur një diskutim shumë përmbajtësor me shoqërinë civile. E them me kënaqësi që pozicioni që kemi formësuar po pritet jashtëzakonisht mirë”, ka thënë kryeministri, derisa edhe njëherë i ka bërë thirrje opozitës që të bashkohen në takimin e nesërm.

“Ajo çka na duhet është përfshirja e opozitës në bazë të mekanizmave kushtetues. Nesër kam takimin me liderët e partive, për t’i informuar edhe njëherë me qëndrimin tonë edhe për ftesën që kemi me datë 27 qershor”, thotë Hoti.

Kryeministri ka thënë se në SHBA nuk shkon për të normalizuar marrëdhëniet, por, vetëm për njohje.

“Unë do të shkoj në takim me qëndrim të qartë që dialogu të fillojë për njohje, jo për normalizim të marrëdhënieve, ajo do të jetë derivat pas njohjes. Për normalizim kemi dialogu që sa vite. Tash jemi në pikën ku ne duhet të dakordohemi për njohje, e pastaj t’i zgjidhim çështjet e hapura, mendoj që shumë konspiracion për këtë çështje, ne ulemi në tavolinë si palë e barabartë për të arritur marrëveshje për njohje”, shtoi ai.

I pyetur nëse do të largohej nga tryeza e bisedimeve, nëse ngritët çështja e territoreve, Hoti ka thënë se këto janë vetëm hipoteza, e se ai nuk do të dialogojë për shkëmbime.

“Tash më lejoni me qenë i drejtpërdrejtë, po ngrini hipoteza, për të heq këto dilema për të heq nevojën për të ngritë dilema e kemi platformën për dialog, unë kam mandat për të dialoguar në emër të shtetit, për të arritë marrëveshje në përputhje me shtetin e Kosovës, nuk kam mandat për të diskutuar për shkëmbime me territore, për të diskutuar për struktura të ndryshme që bijnë ndesh me karakterin unitar të shteti. Ky do të jetë pozicioni jonë, nuk shkoj atje për të hap tema që bijnë ndesh me Kushtetutën dhe qëndrimin tim, ka 30 vite që bëjmë përpjekje për të konsoliduar shtetin e Kosovës, janë bërë hapa të mëdhenj”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)