Zemaj përsëri: Bartni maska, punoni online

  • 17 June 2020 - 18:16
 Zemaj përsëri: Bartni maska, punoni online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë thirrje për zbatim të Manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID 19.

Në Facebook, Ministri Zemaj ka shkruar për vendimin që është marrë sot në Qeveri të Kosovës.

“Me qëllim të zbatimit të Manualit për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19 në takimin e sotëm të Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente me Covid-19 i kemi rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në përputhje me situatën epidemiologjike lidhur me Covid-19 të nxjerr vendime që fuqizojnë luftën e përbashkët kundër kësaj sëmundje infektive”, ka thënë Zemaj.

Ai ka bërë thirrje për respektim të vendimit të marrë në Qeveri, që të punojnë me staf të reduktuar apo nga shtëpitë.

“Sipas rekomandimeve të Komitetit, Qeveria ka obliguar përmes vendimeve të saj të gjitha institucionet publike dhe private në Kosovë që ta organizojnë punën me stafin e tyre (në distancë fizike apo nga shtëpitë e tyre/online) në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive; duke obliguar gjithashtu të gjitha institucionet që të shtojnë kontrollin rigoroz që personat që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucione të bartin maska mbrojtëse. Të gjitha veprimtaritë e liruara do të organizohen në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19. Institucionet mbikëqyrëse dhe zbatuese janë të obliguara të veprojnë për zbatimin e këtyre vendimeve, përderisa lëvizja me lirime të tjera do të bëhet pasi të sigurohet që masat në fuqi të zbatohen”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)