Thaçi: Samiti i Parisit në javën e tretë të korrikut

  • 18 June 2020 - 17:32
 Thaçi: Samiti i Parisit në javën e tretë të korrikut

Presidenti Hashim Thaçi thotë se Bashkimi Evropian nuk duhet të shqetësohet nga rezultatet që mund të dalin nga takimi i 27 qershorit në Uashington. Ndërkaq ai konfirmon se një muaj më pas, Kosova e Serbia do të takohen në Paris.

Samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, do të jetë takimi i radhës i përfaqësuesve të Kosovës me atë të Serbisë.

Presidenti Thaçi thotë se Bashkimi Evropian, në dialogun Kosovë – Serbi, hyn me një hendikep, pasi nuk ia liberalizoi vizat kosovarëve.

“Bashkimi Evropian në këtë proces hyn me një hendikep shumë të madh, mosliberalizimin e vizave të Kosovës, gjë që rrit mosbesimin dhe dëshpërimin në Kosovë. Sido që të jetë, ne do të punojmë ngushtë që të kemi sukses edhe në samitin e Parisit që mbahet në javën e tretë të korrikut, për çka falënderoj Presidentin Macron” , ka thënë Thaci, transmeton Gazeta Express.

Ndërsa ai i kërkon BE’së dhe përfaqësuesit special të saj, Miroslav Lajcakut, që të mos shqetësohet për diskutimet që do të bëhen në Shtëpinë e Bardhë.

“Bashkimi Evropian dhe z. Lajcak duhet të jetë i i fokusuar në substancën që ai mendon  të prezantojë e më pak të jetë i shqetësuar për rezultatet e takimit në Uashington. Për Kosovës gjithmonë do të ketë lajme të mira nga Uashingtoni”, u shpreh Presidenti.

(Kosova Sot Online)