Që nga shkurti në Kosovë u testuan mbi 20.000 persona për koronavirus, 1916 rezultuan pozitiv

  • 19 June 2020 - 07:36
Që nga shkurti në Kosovë u testuan mbi 20.000 persona për koronavirus, 1916 rezultuan pozitiv

Në muajin shkurt të 2020’tës në Kosovë filluan testimet e para për koronavirus, ndërsa më 13 mars u konfirmuan dy të infektuarit e parë. Që nga atëherë, në vendin tonë janë kryer 20.206 teste, ku 1916 persona kanë rezultuar pozitiv.

Rastet e para ishin në komunën e Vitisë, te një 77 vjeçar i cili rezultoi pozitiv. Në të njëjtën ditë, edhe dy raste tjera u konfirmuan, një 42 vjeçar nga Vitia dhe një grua nga Malishevava.

Nga këto raste filluan edhe testimet më të shpeshta, gjurmimi e hetimi i kontakteve të personave të infektuar.

Malisheva vazhdoi të mbante numrin më të madh të të infektuarve, kurse tani pothuajse shumica e të infektuarve kanë arritur të shërohen.

IKSHPK me njoftimet e përditshme tregon numrin e të infektuarve, ku deri tani numri total ka shkuar në 1,916 me 909 raste aktive, dhe 973 të shëruar.

Në Kosovë tani janë shënuar 34 viktima.

Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka kërkuar nga qytetarët t’u përmbahen rregullave, të mbajnë distancën, higjienën, dhe maskat.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar Shërbimin Spitalor të përgjysmojë të gjitha shërbimet dhe të ndalojë rreptësishtë hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika.

Instituti ka njoftuar se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

“Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)