Hoti: Qeveria brenda dy javëve ka paguar 10 mijë e 668 qytetarë

  • E.K /
  • 19 June 2020 - 16:14
 Hoti: Qeveria brenda dy javëve ka paguar 10 mijë e 668 qytetarë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar punën dy javore të qeverisë që drejton sa i përket ekonomisë.

Kryeminstri Hoti ka njoftuar se për dy javë qeveria ka paguar 10 mijë e 668 qytetarë.

“Nga 170 euro paga mujore, nga 100 euro shtesa, nga 130 euro punëtorëve që kanë humbur vendet e punës, nga 130 euro për punëtorë të rinjë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë po ashtu se së shpejti do të bëhet pagesa 50 për qind për qiratë e bizneseve.

“Së shpejti pagesa 50% për qiratë. Rimëkëmbja ekonomike po ndodhë”, ka shkruar ai.

Kryeministri Hoti pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën ku u votua Projektligji për plotësimin e Ligjit për buxhetin 2020, tha se është krijuar fondi për rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës në shumë prej 385 milionë eurosh.

“Pas mbledhjes së qeverisë, ku votuam Projektligjin për plotësimin e Ligjit të buxhetit për ndarjet buxhetore për 2020, besoj se kemi vendosur gurin kryesor, e kemi bërë veprimin kryesore drejt fillimit të zbatimit të programit tonë për rimëkëmbje ekonomike. Dëshiroj edhe një herë të falënderoj ministren e Financave, zëvendësministrin Krasniqi dhe të gjithë stafin e Ministrisë së Financave për një punë vërtet të madhe, sepse është dashur t’i mobilizojnë mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si rezultat i pandemisë nga mungesa e aktivitetit ekonomik dhe gjithashtu për të krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike të Republikës së Kosovës në shumë prej 385 milionë eurosh”, tha Hoti pas mbledhjes së qeverisë.

(Kosova Sot Online)