Mustafa vazhdon t’ia kujtojë Vjosa Osmanit se nuk mund të dalë me qëndrime kundër partisë

  • E.K /
  • 19 June 2020 - 16:58
 Mustafa vazhdon t’ia kujtojë Vjosa Osmanit se nuk mund të dalë me qëndrime kundër partisë

Vjosa Osmanit dhe atyre që mendojnë ndryshe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbrëmë iu është bërë e qartë nga kreu i partisë, Isa Mustafa se rrezikojnë të përjashtohen nga subjekti. Këtë Mustafa e mbështet në një nen të statutit të partisë, ku sipas tij, thuhet se anëtarët e subjektit që bartin pozita nuk guxojnë publikisht të kundërshtojnë vendimet e shumicës.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e ka pranuar tekstualisht se Vjosa Osmani, nënkryetare e subjektit në të cilën ai udhëheq mund të përjashtohet nga partia pse se votoi mocionin e Qeverinë në krye me Avdullah Hotin.

Mirëpo, Mustafa përmend statutin e partisë, dokumentin rregullativ të punës dhe funksionimit të subjektit, që sipas tij, e përcakton se ata që publikisht flasin ndryshe prej shumicës nuk kanë vend në LDK.

“Është një dispozitë në statut e cila thotë se anëtarët e LDK’së që bartin pozita në LDK nuk mund të kundërshtojnë publikisht vendimet dhe qëndrimet e LDK’së, do të thotë në organet në të cilat janë. Mundet brenda LDK’së të votojnë kundër, të shprehen kundër, munden me bë vërejtje, munden me luftu me përfitu shumicën që ai vendim mos me u marrë, mirëpo, në moment që merret vendimi atëherë një anëtar i Kryesisë nuk mund të del publikisht edhe të thotë mos e përkrahni këtë vendim të partisë në të cilin edhe unë jam”, ka thënë Mustafa mbrëmë në emisionin Desku, duke shtuar se kjo dispozitë është e qartë, e se këta persona, për të cilët nuk flet me emra nuk mund të jenë pjesë e subjektit.

“Dispozita është e qartë, ata nuk mund të jenë pjesë e atij organi nëse publikisht del edhe e kundërshton vendimin e organit në të cilin janë, për kryesi, nënkryetar, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm por që ne nuk jemi lëshuar gjithmonë në ta evitojmë marrjen e masave ndaj njerëzve tanë. Unë konsideroj se është një çështje më tepër e etikës politikë mund të mos pajtohesh, mund të pajtohet po çështjet duhet të mbesin çështje të brendshme”, shton ai.

Sipas shefit të LDK’së, Vjosa Osmani kishte të drejtë të kundërshtonte vetëm brenda partisë, e organeve në të cilat ajo bën pjesë.

“Nuk besoj unë më tepër besoj që zonja Osmani është dashtë të përkrahë qëndrimet e shumicës në LDK, ta thotë atë që e ka thënë brenda organeve të LDk’së ta kundërshtojë me zë një vendim për të cilin nuk pajtohet, nëse i beson LDK’së si organizatë në të cilën është dhe bartë përgjegjësi të lartë atëherë nuk kemi nevojë të dalim publikisht të themi mos e votoni apo mos  i përkrahni qëndrimet që ka marrë partia ime”, tha mbrëmë ai.

Në fakt, pika e dytë e statutit të LDK’së, në të cilin thirret Mustafa, e specifikon se partia është e qendrës së djathtë e anëtarëve të lirë e të përgjegjshëm.

Mirëpo, në nenin 8 thuhet se anëtari i LDK’së, gëzon të drejtë të shprehë mendim lirshëm brenda organeve të partisë.

Një anëtar i LDK-së ka për detyrë, t’i përmbahet Programit dhe Statutit të LDK-së, t’u përmbahet vendimeve dhe synimeve programore të LDK-së, të ruajë nderin, autoritetin dhe interesat e LDK-së.

Neni në të cilën thirret Mustafa është neni 13-të. Aty specifikohet se nëse një anëtar i LDK’së vepron kundër programit dhe statutit të LDK’së, vendimeve dhe qëndrimeve të partive, përballet me masa disiplinore të cilat i cakton Komisioni Disiplinor që formohet në kryesi.

“Ndaj anëtarit të LDK-së, i cili vepron kundër Programit dhe Statutit të LDK-së, kundër vendimeve dhe qëndrimeve të organeve të LDK-së, në të gjitha shkallët e organizimit, i cili me sjelljet e tij i dëmton interesat e LDK-së, mund të shqiptohen masa disiplinore. Zhvillimin e procedurës disiplinore, shkallën e përgjegjësisë dhe shqiptimin e masës disiplinore e bën Komisioni Disiplinor, i caktuar nga Kryesia e LDK-së”, thuhet në nenin 13-të.

Neni 14 ndërkaq thotë se në rastet kur një anëtar abuzon me vlerat themelore dhe objektivat e partisë, vepron kundër kandidatëve të LDK’së në zgjedhje, i përkrah subjektet tjera, atëherë përjashtohet nga partia.

Në këtë nen thuhet ajo që e përmend Mustafa se anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK’së, nëse ata publikisht i refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve anëtarë të të cilëve janë.

Në rast se për Osmanin apo deputetët që nuk votuan për Qeverinë e mocionin vendoset që të formohet Komision Disiplinor ku shqyrtohet përjashtimi i tyre, atëherë të njëjtit kanë të drejtë ankese në Këshill të Përgjithshëm. Këshilli si organi më i lartë i partisë merr vendimin përfundimtar për çështjen.

Vjosa Osmani që ishte kandidate e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e gjashtë tetorit të vitit të kaluar, mori postin e kryeparlamentares gjatë koalicionit me LVV’në. Edhe pas rrëzimit të Qeverisë në krye me Albin Kurtin në Vetëvendosje nuk kanë kërkuar nga e njejta që ta lirojë pozitën.

Megjithatë, ajo është shprehur kundër partisë në të cilën ajo bën pjesë edhe në ditët e votimit të mocionit, edhe në seancën kur u votua Qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Atë ditë Osmani vendosi që të mos udhëheq seancën, e për këtë e autorizoi nënkryetarin e Kuvendit nga LDK’ja, Kujtim Shalën.

Pas veprimeve të saj në mospërputhje me subjektin ka pasur disa figura të partisë që kanë deklaruar se e njëjta duhet të jep dorëheqje, apo të përjashtohet nga LDK’ja.

Në intervistën dhënë për emisionin Pressing në T7, Osmani e pyetur për këtë temë, tha se derën për dalje nga subjekti ia tregon vetëm qytetari.

“Derën drejt largimit nga LDK-ja mund të ma tregojnë vetëm qytetarët e Kosovës. Votuesit elektorati, janë ata që mund të ma tregojnë derën. Nëse mbrojtja e fjalës së dhënë nga qytetarët konsiderohet tradhti unë do ta bëja”, ka thënë Osmani.

(Kosova Sot Online)