Lajmërohet Greta Thunberg: Ndryshimet klimatike janë po aq urgjente sa koronavirusi

  • S.A /
  • 20 June 2020 - 08:39
Lajmërohet Greta Thunberg: Ndryshimet klimatike janë po aq urgjente sa koronavirusi

Aktivistja e njohur për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg, ka thënë se bota duhet të marrë mësim nga koronavirusi dhe t’i trajtojë ndryshimet klimatike me urgjencë të ngjashme si pandeminë.

Në një intervistë për televizionin BBC, suedezja nuk mendon se një plan i gjelbër për rimëkëmbje do të mjaftojë për zgjidhjen e krizës.

“Njerëzit po fillojnë të kuptojnë se ne nuk mund të mos i shikojmë këto gjëra. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i fshehim nën tepih këto padrejtësi”, tha ajo.

Thunberg tha se liderët botërorë po presin në radhë për t’u fotografuar me të dhe se kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka pyetur nëse bën që ta publikojë fotografinë e aktivistët në rrjetet sociale.

“Ndoshta kjo i bën ata ta harrojnë turpin e gjeneratës së tyre që i ka lënë pa përkrahje gjeneratat e së ardhmes. Po supozoj se kjo u ndihmon që të flenë natën”, tha ajo.

Thunberg ishte bërë e famshme kur kishte vendosur që ta braktiste mësimin dhe të protestonte e vetme para institucioneve suedeze. Ajo ishte bërë motiv për mijëra të rinj nga e tërë bota për të organizuar protesta të ngjashme dhe për të kërkuar masa kundër ndryshimeve klimatike.

(Kosova Sot Online )