Kina shënon 27 raste të reja të koronavirusit

  • S.A /
  • 20 June 2020 - 09:08
Kina shënon 27 raste të reja të koronavirusit

Gjatë 24 orëve të kaluara, Kina i ka shënuar 27 raste të reja të koronavirusit. 22 prej tyre u regjistruan në kryeqytetin Pekin.

Shifra e re ishte për pesë raste më e ulët se numri i shënuar një ditë më parë. Përhapja më e madhe është duke ndodhur në Pekin, ku autoritetet lokale po përpiqen ta marrin situatën nën kontroll pas shënimit të disa rasteve në një treg me shumicë.

Përpos rasteve me simptoma, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe shtatë raste të personave të infektuar, por që nuk shfaqin simptoma. Një ditë më parë, në Kinë ishin raportuar pesë raste të tilla.

Kina ishte shteti ku në dhjetor të vitit të kaluar u regjistruan rastet e para të virusit të ri. Australia ka kërkuar që të zhvillohen hetime të pavarura në lidhje me përhapjen e sëmundjes për shkak të dyshimeve se Kina i ka fshehur të dhënat në fazën e hershme.

Kjo ka ndikuar që marrëdhëniet mes dy vendeve të tensionohen. Kina ka vendosur taksë për produkte të caktuara nga Australia dhe u ka bërë thirrje kinezve që të mos shkojnë si turistë në atë shtet.

(Kosova Sot Online )