Prokurori që i hetoi aleatët e Trumpit refuzon të dorëhiqet, pavarësisht njoftimit të kryeprokurorit Barr

  • S.A /
  • 20 June 2020 - 09:24
Prokurori që i hetoi aleatët e Trumpit refuzon të dorëhiqet, pavarësisht njoftimit të kryeprokurorit Barr

Të premten, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara, William Barr, njoftoi për dorëheqjen e prokurorit Geoffrey Berman, i cili qëndron prapa hetimeve kundër aleatëve të presidentit Trump. Megjithatë, vetë Berman më vonë mohoi se do të japë dorëheqje.

“Unë nuk kam dhënë dorëheqje dhe nuk kam synim të jap dorëheqje”, tha Berman, duke shtuar se për “largimin” e tij mësoi përmes një konference për shtyp të Departamentit të Drejtësisë, shkruan “The Guardian”.

“Unë do të largohem kur një i nominuar nga presidenti të konfirmohet nga Senati. Deri atëherë, hetimet tona do të shkojnë përpara pa vonesa apo pengesa. E dua çdo ditë që punoj me burrat dhe gratë e kësaj zyre për të vendosur drejtësi pa frikë apo favore dhe kam për synim që të sigurohem që rastet e rëndësishme të kësaj zyreje të vazhdojnë të papenguara”, tha ai përmes një deklarate.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha: “Ky largim nga puna në orët e vona të së premtes ka erë të korruptimit të mundshëm të procesit ligjor. Çfarë po e zemëron presidentin Trump? Një veprim i kaluar i këtij prokurori të ShBA-së apo veprimi që është duke vazhduar?”

Kjo mosmarrëveshje erdhi në kohën e akuzave nga demokratët e Kongresit se kryeprokurori Barr e ka politizuar Departamentin e Drejtësisë dhe ka vepruar më tepër si prokuror personal i presidentit sesa si prokuror federal.

“E falënderoj Geoffrey Berman-in, i cili do të japë dorëheqje pas dy vjetëve e gjysmë të shërbimit si prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Jugor të Nju Jorkut”, tha kryeprokurori Barr përmes një deklarate.

(Kosova Sot Online )