Për 750,000 dollarë dorëzani, lirohet nga burgu edhe polici i dytë i akuzuar për vrasjen e Floydit

  • E.K /
  • 20 June 2020 - 10:31
 Për 750,000 dollarë dorëzani, lirohet nga burgu edhe polici i dytë i akuzuar për vrasjen e Floydit

Është liruar nga burgu polici i dytë i akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd muajin e kaluar. Për lirimin e tij janë ofruar 750 mijë dollarë dorëzani.

Polici J. Alexander Kueng u lirua në orët e vona të së premtes falë ofrimit të garancisë financiare dhe kushteve të tjera, shkruan “CNN”.

Kueng ishte një nga katër policët e përfshirë në arrestimin e amerikanit George Floyd më 25 maj. Procesi i arrestimit përfundoi me vdekjne e Floydit, që ka nxitur protesta në mbarë botën kundër padrejtësisë racore dhe sjelljeve jo të duhura të policisë.

Një polic tjetër, i quajtur Thomas Lane, u lirua gjithashtu nga burgu më herët gjatë këtij muaji për të njëjtën shumë të dorëzanisë.

Polici Derek Chauvin, i cili shihet në video duke ia shtypur qafën me gju Floydit për më shumë se tetë minuta, është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë dhe shuma e dorëzanisë për të është 1 milion e 250 mijë dollarë.

Nëse ai pajtohet me disa kushte, vlera e dorëzanisë mund t’i ulët në një milion dollarë. Në mesin e kushteve është shmangia e kontakteve me familjen e të ndjerit.

(Kosova Sot Online)