Ish-kancelarja austriake vozit e dehur makinën

  • E.K /
  • 20 June 2020 - 11:11
 Ish-kancelarja austriake vozit e dehur makinën

Ish-kancelares austriake dhe ish-kryetares së Gjykatës Supreme, Brigitte Bierlein, i është marrë leja e vozitjes, pasi që ajo është ndaluar nga policia derisa ishte duke vozitur nën ndikimin e alkoolit.

Gjatë natës së enjte, zonja Bierlein ishte ulur me disa mike të saj në një restorant në Vjenë. “Kishte shumë kohë që nuk ishim takuar dhe gjatë bisedës sonë pimë edhe ndonjë gotë shampanjë”, e përshkruan Bierlein natën e së enjtes, raporton Albinfo Austria.

Pas një mbrëmje të bukur më shoqërinë e saj, 70-vjeçarja bën një gabim serioz. Ajo nuk mori një taksi që të shkojë në shtëpi, por vendosi ta ngasë vetë makinën e saj. “Jam thellësisht e penduar për këtë”, ka thënë ish-kancelarja e Austrisë.

Gjatë rrugës ajo ndalohet nga një kontroll policie dhe duhej t’i nënshtrohej testit të alkoolit. Testi i bërë i alkoolit tregon se ka 0.86 promile alkool në gjak. Policia mbetet e habitur.

“Ishte një gabim serioz. Për të ardhur keq. Jam shumë e mërzitur”, ka thënë Bierlein për oe24.at.

Pavarësisht postit që ajo kishte, policia ia merr lejen e vozitjes si dhe gjobitët me një shumë të lartë të hollave për shkelje të rregullave në trafik.

Si femra e parë kancelare në historinë e Austrisë, Bierlein drejtoi vendin në mënyrë të sigurt brenda shtatë muajve të stuhishëm pas skandalit “Ibiza”. Pa gabime dhe pa skandale.

(Kosova Sot Online)