Protestuesit e spërkatin Ministrinë franceze të Shëndetësisë me ngjyrë të kuqe

  • E.K /
  • 20 June 2020 - 12:44
 Protestuesit e spërkatin Ministrinë franceze të Shëndetësisë me ngjyrë të kuqe

Disa protestues e kanë spërkatur me ngjyrë të kuqe Ministrinë e Shëndetësisë për ta simbolizuar gjakun e personave që kanë vdekur nga koronavirusi dhe për t’i kundërshtuar kushtet e dobëta të punës për punëtorët e sektorit publik.

“Për vite të tëra, punëtorët shëndetësorë na kanë alarmuar për faktin se nuk kanë burime të mjaftueshme sa u përket stafit, shtretërve dhe pajisjeve për t’u përkujdesur për njerëzit në mënyrën e duhur”, tha Aurelie Trouve, zëdhënëse e një grupi të aktivistëve, të quajtur “Attac”, që e organizoi këtë protestë.

Ata gjithashtu e vendosën një parullë të madhe në formë të medaljes në shkallët e Ministrisë së Shëndetësisë, ku shkruhej “Medalja e përbuzjes”. Sipas protestuesve, ky veprim e vë në pah dështimin e qeverisë për t’i dëgjuar shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka vendosur që secilit punëtor shëndetësor t’ia japë një pagesë shtesë prej 1,500 eurove për shkak të rolit të tyre gjatë luftimit të pandemisë.

Megjithatë, shumë punëtorë shëndetësorë mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për ta. Në një protestë tjetër, të mbajtur nga punëtorët shëndetësorë në Paris, pati edhe dhunë.

(Kosova Sot Online)